Ballina Analiza dhe Komente Reforma dhe zgjedhjet, bashkitë lumë tenderësh, por me realizim të dobët

Reforma dhe zgjedhjet, bashkitë lumë tenderësh, por me realizim të dobët

Bashkitë shqiptare, historikisht, kanë shfaqur problematika të mëdha në realizimin e fondeve publike, sidomos për investime. Por, gjatë dy muajve të fundit, fluksi i tenderëve dhe prokurimeve është rritur ndjeshëm, në prag të reformës territoriale, e cila pritet të sjellë një riorganizim të ri, dhe të zgjedhjeve vendore që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, shpenzimet e pushtetit vendor arritën në 42.2 miliardë lekë, ose 15.3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në qershor u shpenzuan 8.7 miliardë lekë, shumë kjo 20% më e lartë se niveli faktik i vitit të kaluar dhe 4% mbi planin e muajit.

Sipas analizës së realizuar nga platforma Open Procurement Albania, gjatë periudhës janar–qershor 2026, bashkitë e vendit kanë shpallur gjithsej 1,877 tenderë, me një fond limit total që arrin në 24.95 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, shifrat tregojnë një paradoks interesant: ndërkohë që numri i procedurave ka shënuar një rënie të lehtë, me 35 tenderë më pak, nga 1,912 procedura në vitin 2025, fondi limit total është rritur me 11.03 miliardë lekë, ose 79.2%. Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, fondi limit i vënë në dispozicion nga njësitë vendore ishte 13.92 miliardë lekë.

Por, pavarësisht valës së prokurimeve, ecuria e investimeve nuk është aq e shpejtë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se bashkitë realizuan rreth 7.92 miliardë lekë investime gjatë periudhës janar–qershor 2026, nga një buxhet operativ prej 54.86 miliardë lekësh. Kjo nënkupton një normë realizimi prej vetëm 14.4%, dukshëm më të ulët se ritmi teorik prej 50% që do t’i korrespondonte gjysmës së vitit.

Përqendrimi më i madh, si i fondeve të planifikuara, ashtu edhe i investimeve të kryera, është në bashki të tilla si Tirana, Himara, Durrësi dhe Vlora, të cilat zotërojnë së bashku rreth 63.5% të buxhetit të investimeve të të gjitha bashkive. Megjithatë, pesha e lartë në buxhet nuk është shoqëruar në të gjitha rastet me një ritëm të lartë realizimi.

Tirana realizoi rreth 1.98 miliardë lekë investime, ose një të katërtën e totalit kombëtar. Por, kundrejt buxhetit prej 17.82 miliardë lekësh, realizimi ishte vetëm 11.1%. Në vendin e dytë renditet Kamza, me 1.14 miliardë lekë investime. Ndryshe nga Tirana, Kamza ka përdorur rreth 66% të buxhetit të saj prej 1.73 miliardë lekësh, duke shënuar një nga normat më të larta të realizimit.

Himara është e treta, me 703 milionë lekë investime, por ka realizuar vetëm 8.9% të buxhetit prej 7.89 miliardë lekësh. Durrësi, me një buxhet prej 4.85 miliardë lekësh, realizoi 308 milionë lekë, ose 6.3%.

Lezha paraqet normën më të lartë të realizimit ndër bashkitë me buxhet investimesh mbi 10 milionë lekë. Deri në fund të qershorit, ajo kishte përdorur 75.7% të fondeve të planifikuara.

Pas saj renditen Kamza, me 66%, Bulqiza, me 61.3%, Vora, me 53.2%, dhe Këlcyra, me 50.3%. Edhe Malësia e Madhe, Fushë-Arrëzi, Poliçani dhe Kukësi shfaqin norma relativisht të larta.

Në skajin tjetër, Puka realizoi vetëm 127 mijë lekë nga 55 milionë lekë të planifikuara, ose 0.2%. Mirdita përdori 1.7% të buxhetit, Vlora 4.2%, Korça 5.9% dhe Durrësi 6.3%.

Libohova nuk raportoi investime të realizuara, por buxheti i saj në këtë zë ishte vetëm 370 mijë lekë.

Nga 4,586 projekte bashkiake që janë buxhetuar këtë vit, 3,634 prej tyre, ose rreth 79.2%, nuk kishin asnjë shpenzim të regjistruar deri në fund të qershorit. Projektet me realizim zero kanë një vlerë prej rreth 39.6 miliardë lekësh, ose 72.2% të të gjithë buxhetit të investimeve. Kjo tregon se niveli i ulët i realizimit nuk vjen vetëm nga ecuria e ngadaltë e projekteve aktive, por edhe nga një numër shumë i madh projektesh që nuk kanë nisur financiarisht.

Rrjeti rrugor është fusha kryesore e investimeve vendore. Bashkitë shpenzuan rreth 3.56 miliardë lekë për këtë sektor, ose 45% të totalit të investimeve.

Buxheti për rrugët ishte rreth 16.99 miliardë lekë, ndërsa norma e realizimit arriti në 21%. Megjithëse mbetet e ulët, ajo është më e lartë se mesatarja e përgjithshme prej 14.4%.

Pas rrugëve renditen shërbimet publike vendore, me 790 milionë lekë investime, arsimi bazë, me 663 milionë lekë, dhe administrimi e planifikimi, me 537 milionë lekë. Këto katër fusha përqendrojnë së bashku rreth 70% të investimeve të realizuara./ Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks