Ballina Aktualitet Në kërkim të eshtrave të Dom Nikoll Gazullit, Autoriteti zhvillon verifikime në...

Në kërkim të eshtrave të Dom Nikoll Gazullit, Autoriteti zhvillon verifikime në Shkrel

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po vijon kërkimet për zbardhjen e fatit të viktimave të zhdukura gjatë regjimit komunist. Në kuadër të përgatitjeve për 28 Gushtin, Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, një grup pune zhvilloi verifikime në terren në zonën e Shkrelit, në Malësinë e Madhe. Vizita u përqendrua në mbledhjen e informacioneve dhe verifikimin e vendndodhjes së mundshme të eshtrave të Dom Nikoll Gazullit, meshtarit, studiuesit dhe gjuhëtarit të njohur shqiptar, i ekzekutuar pa gjyq nga regjimi komunist në vitin 1946, eshtrat e të cilit vijojnë të jenë të pagjetura. Gjatë vizitës, grupi i punës u takua me Dom Nikoll Tomën, meshtar i Kishës së Shënkollit, i cili prej vitesh ka mbledhur dëshmi dhe të dhëna historike mbi vendin ku mendohet se prehen eshtrat e Dom Nikoll Gazullit. Ky informacion do të shërbejë si bazë për verifikimet e mëtejshme administrative dhe hetimet në terren. U inspektuan Kisha e Shënkollit dhe zona Stërkuj–Dedaj, ku dyshohet se mund të ndodhen eshtrat. Të gjitha të dhënat e mbledhura do të analizohen në funksion të identifikimit dhe shënjezimit të vendvarrimeve të viktimave të komunizmit. Në përfundim të vizitës, përfaqësuesit e Autoritetit u takuan edhe me kryetarin e Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë të Shkodrës, Zenel Drangu. Në fokus të bisedës ishte përgatitja e Ekspozitës së Përhershme Informuese që do të inaugurohet në Shkodër më 28 gusht 2026. Ekspozita do t’i kushtohet historisë së persekutimit të klerit katolik dhe viktimave të regjimit komunist në qarkun e Shkodrës, me një vëmendje të veçantë për figurën e Dom Nikoll Gazullit. Përveç dimensionit përkujtimor, ajo synon të shërbejë edhe si një hapësirë edukimi për brezat e rinj mbi të kaluarën dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks