Ballina Aktualitet Imeld Sokoli kritikon projektin e autostradës Milot–Balldre: Dyshime për koston, ndikimin në...

Imeld Sokoli kritikon projektin e autostradës Milot–Balldre: Dyshime për koston, ndikimin në mjedis dhe tarifat e qytetarëve

Screenshot

Këshilltari bashkiak Imeld Sokoli ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Infrastrukturës lidhur me projektin e autostradës Milot–Balldre, duke ngritur një sërë shqetësimesh mbi gjurmën e projektit, koston e tij, ndikimin në mjedis dhe tarifat që pritet të paguajnë qytetarët.

Sipas Sokolit, ministria nuk ka sqaruar publikisht detajet e projektit dhe gjurmën e autostradës, duke lënë pa përgjigje pyetjet e komunitetit mbi zonat ku do të kalojë rruga. Ai pretendon se gjurma e projektit prek zonën e mbrojtur të Kunë-Vainit dhe kërkon transparencë mbi ekzistencën e Vlerësimit Strategjik Mjedisor, lejeve infrastrukturore nga institucionet përkatëse dhe opinionet e organeve të linjës.

Statusi plote:

Në përgjigje të Ministrit të Infrastrukturës për autostradën Milot-Balldre

Së pari ju rikujtoj që jeni Ministër i Infrastrukturës dhe minimalisht opinionit publik duhet ti drejtoheni jo thjeshtë për hallin e kostove që s’mund t’i mbuloni me shoshe, por edhe të shpjegoni projektin dhe gjurmën e rrugës në mënyrë që komuniteti të kuptojë ku kalon gjurma e re e rrugës.

Meqë asnjë përfaqësues i ministrisë apo i ndonjë institucioni nuk e bën, po ju servir gjurmën e projektit në fjalë…🙃

Qartësisht gjurma e autostradës bie në zonë të mbrojtur të Kunë-Vainit. Në këto rrethanа a ka Vlerësim Strategjik Mjedisor ky projekt, a ka leje infrastrukturore nga KKTU dhe cilat janë mendimet e institucioneve të linjës?!

Së dyti, në videon tuaj u përpoqet të justifikonit shifrën e 364 milionë eurove për 16.9 km aks rrugor duke thënë që kostoja reale e rrugës është 181 milionë euro, ndërkohë pjesa tjetër do të jetë për mirëmbajtje dhe për monitorimin e segmentit, që do të thotë që monitorimi dhe mirëmbajtja kushtojnë 183 milionë euro – pra më shumë se sa vetë projekti. Vetëm ky fakt këtë aks rrugor e shndërron në aferë dhe biznes të mbrojtur nga shteti…🙃

Së treti, ministri qëllimisht nuk u ndal në asnjë moment në pikën ku i intereson të gjithë përdoruesve: sa do t’i kushtojë një rrugëkalim një qytetari kjo rrugë? Përgjigja e cilën e keni në fizibilitetin e këtij projekti është 2.5 euro për një rrugëkalim, e cila shkon në 5 euro bashkë me traun tjetër të segmentit Thumanë-Kashar. Në total kushtojnë 10 euro për një rrugë vajtje-ardhje. Si të mos mjaftonte kjo, janë vetëm 37 km rrugë Autostradë e tipit A për të cilat paguhet 5 euro për një rrugëkalim. Kjo shifër e bën absolutisht më të shtrenjtën në Europë krahasuar me akse të ngjashme, të cilat i kam renditur në postimin e disa ditëve më parë: https://www.facebook.com/share/p/1BoWFhgyXY/

Për krahasim: Autostrada New Hampshire-Boston (SHBA) me gjatësi  246 km, ka një toll prej 3.7 dollarësh për rrugëkalim. Në një llogaritje të thjeshtë, rasti në fjalë tarifohet me 0,013 euro për km, ndërkohë në rastin e segmenteve të rrugës Tiranë-Shkodër kjo shifër është 10 herë më e lartë: 0,13 euro për km.

Këtë projekt nuk mund ta shesësh si sukses, dhe aq më tepër bashkëqytetarëve tuaj në Shkodër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks