Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se drejtimi i automjeteve me shpejtësi ekstreme rrezikon jetën e drejtuesve dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Duke publikuar të dhëna nga kontrollet e orëve të fundit të Policisë së Shtetit, ministri bën me dije se vetëm gjatë natës së kaluar pajisjet inteligjente kanë regjistruar 206 raste të automjeteve që lëviznin me shpejtësi nga 150 deri në 212 km/h në segmentet rrugore nga Lezha në Fier, ku kufiri maksimal i lejuar është 90 km/h.
Lamallari e cilëson këtë sjellje si të papranueshme dhe një kërcënim serioz për sigurinë rrugore, duke theksuar se automjeti nuk duhet të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse ndaj vetes dhe të tjerëve.
Ministri paralajmëron se ndaj drejtuesve që i trajtojnë rrugët si pista garash nuk do të ketë asnjë tolerancë, duke nënvizuar se teknologjia moderne e Policisë identifikon çdo shkelje dhe se masat administrative e ligjore do të zbatohen pa kompromis.
“Rrugët nuk do t’ua lëmë në dorë atyre që sillen si kamikazë në timon”, thekson ministri Lamallari në reagimin e tij.






