Ballina Politike Rama: Populli s’na vlerëson më, por kërkon llogari! Ka të drejtë!

Rama: Populli s’na vlerëson më, por kërkon llogari! Ka të drejtë!

Populli tashmë e krahason Shqipërinë me vendin e mundësive ku pret të mbërrijë, tha kryeministri Rama. Ai tha se nuk ka më vlerësime pasi tani populli kërkon llogari.

“Bulevardi i flamingove është prova më shembullore se shqiptarët e krahasojnë Shqipërinë me bulevardin e mungesave, por me vendin e mundësive ku presin të mbërrijnë. Madje, sikur duan ta harrojnë edhe atë që mbajnë mend akoma sepse na gjykojnë pa mëshirë pikërisht sepse panë atë që ndryshoi. Udhëkryqi që kam folur edhe më parë është ky. Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave. Ne dhe askush tjetër. Prandaj sot përballemi me një popull që e mat Shqipërinë me pritshmëritë e veta dhe na kërkon llogari më shumë nga sa do të donim ne për gjithçka për t’u bërë. Një popull që bezdiset kur tregojmë nga sa poshtë jemi nisur dhe sa lart do të shkojë. Ka të drejtë. Sa më i madh dhe i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je. Nëse nuk e kupton që është më e madhe sesa ti, qofsh edhe vetë PS apo u quajtsh Edi Rama”, tha kryeministri.

Protesta para kryeministrisë tregoi hendekun mes fakteve të qeverisë dhe përjetimit të njerëzve, tha Rama. Ai përsëriti se protesta pati ndërhyrje të jashtme, por përjetimi i njerëzve ishte zemra e saj.

“Në pasqyrën e bulevardit të flamingove unë pashë një të vërtetë tronditëse që asnjë statistikë nuk e tregon, por asnjë provë nuk e rrëzon: ne lart, kishim fakte. Njerëzit poshtë, kishin përjetim.  Në atë protestë pati ndërhyrje të huaj, brutale madje, manipulime të panumërta, lajme të rreme dhe plot aktorë të vënë nga qëllime të ndryshme, ishin pjesë e rëndësishme e protestës. Ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme për ta kuptuar, por nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që e ktheu bulevardin në hendekun më të dukshëm të mundshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve. Përgjigjja për themelin e atij hendeku nuk duhet kërkuar te pjesët e bashkëngjitura të protestës, por duhet gjetur te njerëzit dhe konfliktet me përvojën e përditshme. Njerëzit bëhen gjithnjë e më pak tolerantë, sidomos pas përvojave të hidhura me administratën që e derdhën kupën në bulevard. Ai hendek nuk u hap për të qëndruar ashtu, por për t’u mbyllur. Harrojini faktet tona dhe fokusohuni te përjetimi i njerëzve. Atë e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tij do të realizohet dhe fakti më kokëfortë duket si gënjeshtër, por më zi, edhe gënjeshtra më e madhe fillon të duket si e vërtetë”, tha Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks