Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve është ndjeshëm më i lartë. Sipas Policisë, kontrollet janë fokusuar kryesisht në evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara, si dhe të mjeteve që qarkullojnë me xhama të riveshur, shkelje të cilat konsiderohen ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore. Gjatë periudhës 1–23 korrik 2026, si rezultat i monitorimit dhe kontrolleve të vazhdueshme, janë arrestuar 8 drejtues mjetesh dhe 10 të tjerë janë proceduar penalisht për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Gjithashtu, janë pezulluar 17 leje drejtimi. Në të njëjtën periudhë, Policia Rrugore ka vendosur 4 308 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Konkretisht, janë ndëshkuar 166 drejtues për parakalime të gabuara, 2 062 për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, 1 418 për ndalim ose qëndrim të gabuar, 201 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 30 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 630 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. Policia Rrugore e Shkodrës bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur teknologjinë bashkëkohore në funksion të rritjes së sigurisë rrugore. Njëkohësisht, Policia apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112.






