Ballina Politike Përballë akuzave për koncertin, Rama rendit investimet e fundit në shëndetësi

Përballë akuzave për koncertin, Rama rendit investimet e fundit në shëndetësi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të mërkurë, 8 korrik, për debatet e krijuara rreth koncertit të Kanye West që do të mbahet më 11 korrik në Tiranë, duke kundërshtuar pretendimet për kostot e organizimit të eventit. Rama thekson se aludimet se shteti shqiptar do të paguajë 50 milionë euro për koncertin janë “gënjeshtër”, ndërsa bën të ditur se shifra që lidhet me mbështetjen logjistike është rreth 4 milionë euro.

Sipas kryeministrit, kjo shumë është e nevojshme për të garantuar zhvillimin e një eventi ndërkombëtar që pritet të sjellë në Shqipëri rreth 25 mijë vizitorë nga rreth 80 vende të botës. Ai argumenton se koncerti do të ketë ndikim ekonomik për turizmin, bizneset dhe sektorin e shërbimeve, duke sjellë rritje të konsumit dhe promovim të Shqipërisë si destinacion turistik.

“Ky është një rast fantastik promovimi për Shqipërinë turistike dhe një mundësi për të stimuluar ekonominë”, shkruan ai në rrjetin e tij social Facebook.

Më tej, nënvizon se lidhur me koncertin po përhapen informacione të pavërteta duke e paraqitur atë si një shpenzim të panevojshëm publik.

“Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht. Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare”, shton numri një i kabinetit.

Ka një përgjigje edhe për akuzat se mungojnë investimet në shëndetësi.

“U kujtoj të tërëve se vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetëm kujdestarët e tyre; dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishuam financimin e Start Up-eve; dyfishuam garancinë sovrane për programin dyfisho biznesin tënd; financuam një paketë të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural, mbrojtjen dhe të gjitha këto e të tjera akoma ishin në Aktin Normativ të fundqershorit, ku qershia mbi tortë ishte padyshim bonusi i pensionistëve”, përfundon Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks