
Në Spitalin Rajonal Shkodër është realizuar me sukses një ndërhyrje e avancuar endovaskulare te një pacient 52-vjeçar, i cili vuante prej vitesh nga hipertension arterial i pakontrolluar. Pas ekzaminimeve diagnostike, u konstatua se shkaku i gjendjes ishte një stenozë kritike e arteries renale të majtë, një nga shkaqet kryesore të hipertensionit renovaskular.
Pacienti iu nënshtrua me sukses angioplastikës endovaskulare me vendosjen e një stenti të medikuar, procedurë që riktheu qarkullimin normal të gjakut në arterien e prekur. Ndërhyrja krijon mundësi për kontroll më të mirë të tensionit arterial, ruajtjen e funksionit të veshkës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientit.
Ky intervenim u realizua falë bashkëpunimit të Shërbimit të Hemodinamikës dhe Kirurgjisë Vaskulare, duke dëshmuar profesionalizmin e ekipit mjekësor dhe kapacitetet bashkëkohore që ofron Spitali Rajonal Shkodër në trajtimin e patologjive komplekse vaskulare.
Në ekipin operator morën pjesë:
- Dr. Gledis Zaimi
- Dr. Besmir Grizhja
- Dr. Aurel Demiraj
- Infermier Afrim Bashi
- Infermier Ermal Dibra
Spitali Rajonal Shkodër vijon të ofrojë shërbime të specializuara me standarde të larta, duke garantuar trajtim cilësor dhe të sigurt për pacientët.





