Fshati turistik i Thethit vijon të jetë pa furnizim me energji elektrike që nga mbrëmja e së enjtes, duke krijuar vështirësi të konsiderueshme për banorët dhe bizneset që presin me qindra turistë nga e gjithë bota. Banorët bëjnë me dije se ndërprerja e energjisë ka ndodhur papritur dhe, sipas tyre, pa asnjë njoftim paraprak nga autoritetet përgjegjëse. Mungesa e energjisë po ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin e bujtinave, restoranteve dhe subjekteve të tjera që ofrojnë shërbime për turistët. Ata shprehen se situata po u shkakton dëme ekonomike, pasi produktet ushqimore të ruajtura në frigoriferë rrezikojnë të dëmtohen, ndërsa turistët po përballen me mungesën e shërbimeve bazë. Ky është një rast që përsëritet dhe për fat të keq, Thethi e shumë zona të tjera malore, që janë perlat e turizmit shqiptar, akoma nuk kanë as investimin më minimal në 2026-en, energjinë elektrike. Banorët kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë për rikthimin e energjisë, duke theksuar se zgjatja e këtij problemi rrezikon të dëmtojë jo vetëm aktivitetet e tyre ekonomike, por edhe imazhin e Thethit si një prej destinacioneve më të vizituara turistike në vend.
Ballina Aktualitet Thethi prej orësh pa energji elektrike, banorët ngrenë shqetësimin për dëmet në...






