Valdrin Pjetri është emëruar drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Emërimi i Pjetrit është bërë ditën e sotme sipas burimeve pranë këtij institucioni ndërsa pritet tashmë edhe prezantimi zyrtar i tij. Pjetri më përpara ka mbajtur disa detyra të rëndësishme në institucionet shtetërore dhe tashmë do të ketë pozicion në krye të Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka për qëllim përfundimin e procesit të njohjes së pronësisë dhe kthimit apo kompensimit sipas rastit, si dhe përfundimin e procesit të kompensimit përmes ekzekutimit të të gjitha vendimeve të miratuara për kompensim brenda 10 viteve. Ligji i miratuar në 2015 për trajtimin e pronave, hodhi bazat për zgjidhjen përfundimtare të procesit të shpërblimit të ish-pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit komunist, duke eliminuar me ligj dhe në praktikë zvarritjet burokratike, si dhe për të sjellë barazi tek të gjithë ish-pronarët, të cilëve u është njohur prona për kompensim, me qëllim realizimin e një shpërblimi të drejtë, sipas kushteve ekonomike e sociale të shtetit.
Valdrin Pjetri, ish drejtues i Agjencisë së Kadastrës ka një eksperiencë dhe kapacitetet e duhura profesionale për të drejtuar Agjencinë e Trajtimit të Pronave me qëllim përmirësimin në vazhdimësi të këtij institucioni si dhe zgjidhjen e çështjeve të cilat adresohen në atë institucion të rëndësishëm nga qytetarët. Më herët Valdrin Pjetri ka qenë edhe ish drejtues politik i PS për qarkun Shkodër si dhe ish Prefekt i Qarkut Shkodër ndërsa ka vijuar me detyra të tjera gjatë gjithë këtyre viteve duke dhënë kontributin e tij.
Kush eshte Valdrin Pjetri:
Valdrin Pjetri ka përfunduar studimet e larta në Financë-Kontabilitet dhe zotëron një master të nivelit të dytë në Lidership.
Karriera e tij në administratën publike përfshin disa funksione drejtuese. Nga viti 2010 deri në vitin 2014 ka ushtruar detyrën e administratorit pranë Ministrisë së Financave. Në periudhën 2014–2017 ka qenë drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në vitin 2018 është emëruar drejtor i Hipotekës së Tiranës, ndërsa në vitin 2019 ka mbajtur detyrën e kryeregjistruesit dhe më pas atë të prefektit të Qarkut Shkodër.
Që prej vitit 2022 ka ushtruar funksionin e administratorit të AMI pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).






