Dy muaj më parë ai ofroi çifligun e tij dhe 50 milionë lekë për të liruar nga qelia Ilir Metën, ndërsa sot Kujtim Cakrani deklaroi se ka hequr dorë nga mbrojtja ligjore e ish-presidentit të vendit për mungesë bashkëpunimi dhe mirëbesimi reciprok. Për më shumë se një vit, Kujtim Cakrani mbrojti ligjërisht Ilir Metën në procesin penal që po zhvillohet ende ndaj tij në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, si person që dyshohet se ka kryer në tre raste korrupsion pasiv, ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pasuritë e tij, si dhe ka pastruar paratë. Shkëputja mes tyre ndodhi si shkak i seancës së fundit gjyqësore që u zhvillua në GJKKO, ku Cakrani paraqiti listën e dëshmitarëve që kërkon të thirren në këtë proces dhe të merren në pyetje lidhur me hetimin e Prokurorisë së Posaçme për aferën CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi. Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive.”
Në seancën e radhës, që është parashikuar të zhvillohet në datën 9 korrik, Gjykata e Posaçme do të duhet të relatojë dorëheqjen e Cakranit nga përfaqësimi i Ilir Metës dhe më pas trupa gjykuese i jep të drejtën të pandehurit që ai të zgjedhë një tjetër mbrojtës ligjor, i cili do të kërkojë kohën maksimale për t’u njohur me aktet e prokurorisë për një mbrojtje efektive.
Procesi gjyqësor në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, të cilët po gjykohen më vete me procedurë të zakonshme, është në fazën e kundërshtimeve që do të bëhen nga Kryemadhi lidhur me parashtrimet e organit të akuzës. Më pas, shkalla e parë e gjyqësorit do të shprehet për pranimin ose rrëzimin e kërkesës së të dyja palëve për thirrjen e rreth 200 dëshmitarëve në këtë proces gjyqësor.
Deklarata e plotë për mediat
Me datë 24 maj 2025, Studio Ligjore “Cakrani” nëpërmjet avokatit Kujtim Cakrani, mori përsipër përfaqësimin ligjor të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Metaj, në procedimin penal të zhvilluar para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO/SPAK). Bashkëpunimi është kryer me ndershmëri profesionale dhe me angazhim të plotë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave ligjore të klientit.
Sot, më datë 29 Qershor 2026, Studio Ligjore “Cakrani” njofton publikun se marrëdhënia klient–avokat me z. Ilir Metaj ka ardhur në fund. Shkëputja e kësaj marrëdhënieje vjen si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe mbrojtësit ligjor, gjendje kjo e evidentuar sidomos pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.
Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi. Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive.
Studio Ligjore “Cakrani” i uron z. Metaj gjetjen e përfaqësimit ligjor të duhur dhe respekton të drejtën e tij kushtetuese dhe konvencionale për gjykim të drejtë. Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, avokati Kujtim Cakrani ka vepruar me integritet profesional të plotë dhe do të ruajnë, si e kërkon ligji, konfidencialitetin e informacioneve të fituara gjatë ushtrimit të mandatit.
Kjo deklaratë lëshohet me qëllim ekskluziv të transparencës ndaj opinionit publik dhe medias, për të evituar çdo keqkuptim apo interpretim të gabuar të rrethanave që çuan në përfundimin e marrëdhënies profesionale.






