Një arritje historike për sportin shqiptar dhe gjimnastikën në vendin tonë. Federatës Shqiptare të Gjimnastikës i është besuar nga organizata europiane e gjimnastikës organizimi i festivalit prestigjioz “Golden Age Gym Festival 2028”, duke fituar përballë disa vendeve kandidate europiane.
Ky event, që zhvillohet çdo dy vjet gjatë javës së parë të muajit tetor, do të sjellë në Tiranë rreth 2,000 gjimnastë nga e gjithë Evropa, duke e bërë Shqipërinë mikpritëse të një prej aktiviteteve më të rëndësishme sportive për promovimin e jetës aktive dhe gjimnastikës për këtë kategori moshe.
Përzgjedhja e Shqipërisë si vend organizator u vendos gjatë një takimi online me drejtuesit më të lartë të European Gymnastics, ku morën pjesë Presidenti i European Gymnastics, Farid Gayibov, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe drejtues të Gjimnastikës së Përgjithshme pranë organizatës europiane.
Në panelin shqiptar ishin të pranishëm Presidenti i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, Leonard Lulaj, Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, Sekretarja e Përgjithshme e federatës, Eliriana Karaj, Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Sportit pranë MTKS, Bledar Doçi, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës si dhe Drejtoresha e Projekteve pranë KOKSH, Elona Jegeni. Të gjithë konfirmuan mbështetjen dhe bashkëpunimin institucional për realizimin me sukses të këtij eventi madhor.
Ky sukses vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës dhe Presidentit Leonard Lulaj për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe rritjen e prezencës së Shqipërisë në komunitetin europian dhe ndërkombëtar të gjimnastikës.
“Golden Age Gym Festival 2028” nuk do të jetë vetëm një festë e sportit, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë, turizmit, kulturës dhe mikpritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Tirana 2028 do të mirëpresë Evropën përmes gjimnastikës.






