Arrestohet në Shkodër Klivis Kuçaj, i shpallur në kërkim për veprën penale “tentativë vrasje”. Ai u ndalua nga policia pas përfshirjes në sherrin e ndodhur dy ditë më parë në një lokal në plazhin e Velipojës, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri në ajër. Sipas burimeve policore, Kuçaj ishte shpallur në kërkim prej rreth dy muajsh e gjysmë, pasi dyshohet se ka plagosur një person në një ngjarje të mëparshme. Ndaj tij rëndon akuza e “tentativës për vrasje”. Ngjarja e fundit ndodhi më 8 qershor në Velipojë, pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur një natë më parë mes disa të rinjve. Sipas hetimeve paraprake, pas debateve të 7 qershorit, Klivis Kuçaj së bashku me disa shokë kanë shkuar pranë një lokali ku janë përplasur me familjen Ramazani, konflikt që degradoi në dhunë fizike dhe përdorim arme zjarri në ajër. Gjatë sherrit, Klivis Kuçaj mbeti i dëmtuar në fytyrë, duke marrë plagë të konsiderueshme. Policia ka identifikuar edhe personin tjetër të përfshirë në konflikt, shtetasin Agim Ramazani, ndaj të cilit kanë nisur procedurat ligjore. Ndërkohë, efektivët e Policisë së Shkodrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personit që ka qëlluar me armë gjatë konfliktit në plazhin e Velipojës.






