Madridi u kthye këtë të diel në qendrën e botës katolike, teksa mbi 1 milion besimtarë dolën në rrugët e kryeqytetit spanjoll për të ndjekur Papa Leonin XIV në një nga ceremonitë më të rëndësishme fetare të vitit.
Papa kremtoi meshën e Corpus Christi në Plaza de Cibeles, në ditën e dytë të vizitës së tij shtatëditore në Spanjë. Turmat mbushën sheshin dhe rrugët përreth, ndërsa shumë të tjerë mbetën jashtë zonës së sigurisë për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve. Sipas organizatorëve, rreth 1.2 milionë persona morën pjesë në meshë dhe në procesionin e mëpasshëm, duke e kthyer ngjarjen në një nga grumbullimet më të mëdha fetare të viteve të fundit në Spanjë. Brohoritje dhe duartrokitje shpërthyen sapo Papa mbërriti në shesh me papamobilen. Besimtarët valëvitnin flamuj dhe telefonat celularë për të fotografuar momentin, ndërsa dëgjoheshin thirrje si: “Kjo është rinia e Papës”.
Një nga momentet më spektakolare të ceremonisë ishte ecja mbi tapetet e krijuara me petale lulesh, një traditë që në Spanjë ruhet prej më shumë se dy shekujsh. Për këtë rast, floristë nga Galicia realizuan 16 tapete dekorative përgjatë një rruge prej rreth 500 metrash.
Për përgatitjen e tyre u përdorën më shumë se 30 mijë lule, kryesisht në ngjyrat e verdhë dhe të bardhë të flamurit të Selisë së Shenjtë. Në to ishin krijuar simbole fetare, përfshirë edhe çelësat e Vatikanit.
Në predikimin e tij, Papa Leoni XIV vlerësoi traditën spanjolle të procesioneve fetare, duke theksuar se ato janë një dëshmi e gjallë e besimit dhe jo thjesht një traditë folklorike.
“Kjo nuk është një ekspozitë, as një mbetje folklori dhe as një shfaqje bukurie. Është një dëshmi besimi në praninë e Krishtit të ringjallur, i cili vazhdon të ecë mes nesh”, deklaroi Papa.
Ai u ndal edhe te roli që ka luajtur feja në historinë e Spanjës, duke theksuar se vendi duhet ta ruajë këtë trashëgimi si një vlerë të gjallë dhe jo si një kujtim të së shkuarës.
“Në këtë qëndron misioni i Spanjës sot dhe në të ardhmen: që besimi që e ka formësuar këtë vend për shekuj të mos mbetet një muze i së kaluarës, por një shkollë besimi nga e cila mund të frymëzohen edhe brezat e sotëm”, tha ai.
Në fund të ceremonisë, Papa mbajti në duar monstrancën e artë me hostien e shenjtë dhe eci mbi tapetet me lule, ndërsa fëmijët hidhnin petale përpara tij. Nga të dyja anët e rrugës, besimtarët vazhdonin të mbulonin itinerarin me lule, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionale.
Interesi i madh për vizitën e Leonit XIV ishte shfaqur që në mbrëmjen e së shtunës. Sipas organizatorëve, rreth 600 mijë të rinj morën pjesë në një vigjilje lutjeje në Madrid, ku qëndruan për disa minuta në heshtje të plotë së bashku me Papën.
Gjatë takimit me të rinjtë, Papa i inkurajoi ata të mos kenë frikë të zgjedhin rrugën e shërbimit fetar apo angazhimit në Kishë.
Vizita e Leonit XIV është e para e një Pape në Spanjë pas 15 vitesh dhe vjen në një kohë kur vendi, dikur ndër më katolikët në Europë, po përjeton një rënie të vazhdueshme të praktikimit të fesë. Pikërisht për këtë arsye, thonë mediat spanjolle, Ati i Shenjtë ka vendosur ta përdorë këtë vizitë për të nxitur rikthimin e brezave të rinj drejt besimit dhe traditave fetare që kanë shoqëruar historinë e Spanjës për shekuj me radhë.






