Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Lozhan të Maliqit ku efektivi i forcave ‘Shqiponjave’ Enea Mekolli 34 vjeç mbeti i vrarë gjatë një operacioni për arrestimin e Violand Braçellarit, i dënuar me 10 vite burg për ‘prodhim e shitje të narkotikëve’.
Rama i uron shërim të shpejtë efektivit të plagosur Edison Adri 36 vjeç ndërsa kërkon dënimin maksimal për autorin.
Postimi i Edi Ramës
Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli!
Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër
Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj
Edhe Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për vrasjen e efektivit të ‘Shqiponjave’ Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij Edison Adri në Lozhan të Maliqit.Begaj i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimës dhe i uron shërim të shpejtë të plagosurit ndërsa shton se Policia e Shtetit, do e kthejë këtë dhimbje në forcë për të luftuar krimin në çdo skutë.“Bashkohem thellësisht më dhembjen për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës të policit Enea Mekolli dhe plagosjen rëndë të kolegut të tij, Edison Adri.I shpreh familjes ngushëllimet dhe solidaritetin më të lartë në emër të shtetit shqiptar në këtë ditë mjaft të rëndë për ta!I uroj shërim të plotë dhe sa më të shpejtë punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i plagosur!Policia e Shtetit nuk do të zbrapset nga kjo humbje e do ta kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë.Populli shqiptar është masivisht përkrah policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik”, tha presidenti Begaj.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar pas vrasjes së policit në Maliq.“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë.Ngushëllime familjes Mekolli, kolegëve dhe të afërmve të Eneas, që sakrifikoi jetën në përmbushje të misionit të tij fisnik. Sakrifica e tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes dhe kolegëve të tij. Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri misionin në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit. Nderimi më i madh për të është të vijojmë detyrën me të njëjtin guxim, përkushtim dhe integritet që ai tregoi deri në fund”, shkruan Lamallari.






