Një vendim politik me rëndësi historike për shqiptarët në Mal të Zi u mor në Tuz, ku tre subjekte politike shqiptare vendosën të bashkohen në një forcë të vetme politike me emrin Forumi Shqiptar. Në një kohë kur skena politike shpesh karakterizohet nga fragmentarizimi dhe krijimi i partive të reja, Alternativa Shqiptare, Unioni Nacional Shqiptar dhe Lidhja Demokratike Shqiptare zgjodhën një rrugë tjetër: bashkimin e strukturave, energjive dhe vizionit të tyre në një organizim të përbashkët politik. Në fjalën e tij, kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, theksoi se ky bashkim është rezultat i besimit të ndërtuar ndër vite, i suksesit të arritur në zgjedhjet e fundit dhe i punës konkrete në nivel lokal dhe qendror. Sipas tij, krijimi i Forumit Shqiptar përfaqëson një investim afatgjatë për të ardhmen e shqiptarëve dhe për avancimin e rrugës europiane të Malit të Zi.
Gjeloshaj nënvizoi se ky është bashkimi më i madh politik i shqiptarëve në Mal të Zi në dekadat e fundit, duke kujtuar se nga shtatë subjekte politike shqiptare që kanë vepruar ndër vite, sot është krijuar një subjekt i vetëm politik.
Ai shtoi se shqiptarët kanë nevojë për një adresë të vetme dhe të fuqishme politike, e cila do të përfaqësojë dhe artikulojë kërkesat e tyre. Sipas tij, kjo adresë tashmë mban emrin Forumi Shqiptar. Nga ana tjetër, kryetari i Unionit Nacional Shqiptar, Ferhat Dinosha, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Ivan Ivanaj, vlerësuan se bashkimi i tre partive shënon një moment të rëndësishëm në organizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi. Ata theksuan se ky vendim dëshmon pjekuri politike dhe gatishmëri për të vendosur interesin kombëtar dhe të përgjithshëm mbi interesat partiake, me synimin për të forcuar përfaqësimin e shqiptarëve dhe për të ndërtuar një zë më të fuqishëm në institucionet shtetërore.






