Procesi për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë aksin rrugor Milot – Balldre po shkon drejt mbylljes, ndërsa pritet që në ditët në vijim të shpallet edhe subjekti fitues i kontratës. Pas përfundimit të garës koncesionare në muajin tetor pa ankesa dhe me tre oferta në garë, autoritetet kanë vijuar me shqyrtimin e dokumentacionit, një fazë që tashmë është drejt përfundimit.
Ky zhvillim i hap rrugë nënshkrimit të kontratës dhe nisjes së punimeve për një nga segmentet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në vend, pjesë e korridorit Adriatiko–Jonian. Sipas të dhënave zyrtare, projekti ka një vlerë të parashikuar prej rreth 365 milionë euro, pa TVSH, ndërsa kontrata do të ketë një kohëzgjatje prej 35 vitesh, duke përfshirë ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen.
Aksi Milot–Balldre, me gjatësi rreth 17 km, do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, duke zëvendësuar segmentin ekzistues të kategorisë C. Rruga nis në nyjen e Milotit, ku lidhet me akset Milot–Thumanë–Kashar–Lekaj dhe Rrugën e Kombit, për të përfunduar në Balldre, në lidhje me rrugën Tiranë–Shkodër.
Sipas parashikimeve të mëparshme nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, punimet synohej të nisin në mesin e këtij viti, ndërsa ndërtimi i segmentit pritet të zgjasë rreth 30 muaj nga momenti i nënshkrimit të kontratës.
Milot – Balldre është pjesë e korridorit Adriatiko – Jonian, i cili është i identifikuar paraprakisht si pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar, duke shtrirë Korridorin Kryesor të Rrjetit të BE – së në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.






