Ballina Kronike Vijon gjyqi ndaj Kristian Shkrelit në GJKKO, dëshmitarët mohojnë përfshirjen në zgjedhje

Vijon gjyqi ndaj Kristian Shkrelit në GJKKO, dëshmitarët mohojnë përfshirjen në zgjedhje

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të martë seanca e radhës ndaj kryebashkiakut të Vau Dejësit, Kristian Shkreli, ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Ashtu si edhe në seancën e kaluar, Prokuroria e Posaçme vijoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të thirrur në këtë proces gjyqësor.

Dëshmitari Prek Kotaj deklaroi para trupit gjykues se punon si elektricist pranë OSHEE Shkodër dhe se kishte qenë pjesë e një grupi pune në fshatin Stajkë për një remont në rrjetin elektrik.

“Mbaj mend që kemi hequr disa kabuj të vjetër dhe kemi vendosur të rinj. Nuk e di periudhën e saktë. Nuk e njoh Kristian Shkrelin dhe nuk jam përfshirë në asnjë zgjedhje”, u shpreh ai.

Edhe dëshmitari Anton Lumi, elektricist në zonën e Komanit pranë Vau Dejësit, tha se kishte shkuar në Stajkë me urdhër të shefit për të ndihmuar grupin e punës në remontin e kabujve elektrikë.

“Nuk e mbaj mend periudhën kur kam qenë aty. Kam qëndruar dy ditë në Stajkë për punime”, deklaroi Lumi.

Ndërsa dëshmitari Klaudjo Fusha tha se kishte punuar vetëm një ditë në zonë, pas një urdhri nga shefi i teknikës.

“Më kanë çuar për të shtrirë një kabull. Kam punuar rreth 8 orë. Nuk e njoh Kristian Shkrelin dhe nuk e kam takuar kurrë”, u shpreh ai para gjykatës.

Në seancë dëshmoi edhe Kastriot Gavoçi, punonjës në shërbimet e Vau Dejësit me fadromë, i cili tha se kishte punuar në rrugën e zonës, por jo në linjën elektrike.

“Kam rreth 8 vite që punoj. Në atë zonë shkoja pasi rruga ishte shumë e keqe. Aty jetojnë rreth 3 mijë banorë”, deklaroi ai.

Seanca e radhës u caktua më 19 maj, në orën 15:00, pasi Prokuroria e Posaçme kërkoi kohë për administrimin e provave shkresore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks