Ballina Kronike Shkelja me tenderin 700 mijë euro/ Dështon seanca e parë ndaj kryebashkiakut...

Shkelja me tenderin 700 mijë euro/ Dështon seanca e parë ndaj kryebashkiakut Benet Beci

Seanca e parë gjyqësore për çështjen penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dështoi të zhvillohej të hënën, pasi nuk ishte realizuar njoftimi i pesë prej shtatë të pandehurve. Beci po përballet me procesin gjyqësor, pasi akuzohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës që drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH.

Nga sa u relatua prej kryesueses së trupit gjykues, Elsa Ulliri, nuk kishte konfirmim për njoftimin e të pandehurve Benet Beci, Adela Ruko, Jonid Kazani, Yllka Nishku dhe Edlira Mitrushi. Po ashtu, kishte dhe kërkesa për shtyrje nga ana e avokatëve që nuk ishin të pranishëm në seancë.

Kryesuesja Ulliri deklaroi se seanca u shty me qëllim realizimin e njoftimit të të pandehurve që nuk kishin marrë dijeni për seancën e së hënës. Seanca e radhës që u caktua të zhvillohet me datë 20 maj, në orën 10:00.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi më 17 mars të kalojë për gjykim në themel çështjen penale në ngarkim të Becit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, anëtarët e njësisë së prokurimit të KESH, të cilët akuzohen se favorizuan një kompani private në një prokurim me vlerë 69.5 milionë lekë.

Sipas SPAK, të pandehurit kanë shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Benet Beci…në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe de privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k,”.

Hetimi ndaj Becit dhe ish-vartësve të tij për këtë çështje filloi pas verifikimit dhe analizimit të provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Evis Berberit, i cili edhe ky akuzohet për shkelje të barazisë në tendera e pastrim parash.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks