Një zhvillim i rëndësishëm infrastrukturor pritet të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë dhe turizmin e rajonit të Tropojës. Pas përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar një lidhje të qëndrueshme rrugore me zonën e Plavë–Gucisë, Qeveria Shqiptare ka alokuar fondet e nevojshme për ndërtimin e rrugës me standarde bashkëkohore drejt Qafës së Vranicës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se projekti është tashmë në fazë të avancuar dhe pritet të përfundojë së shpejti, duke krijuar një aks të ri strategjik për zonën ndërkufitare.
Ndërkohë, paralelisht me investimin në infrastrukturë, janë zhvilluar edhe takime të vazhdueshme me autoritetet në Mal të Zi për koordinimin e projektit në të dy anët e kufirit. Së fundmi, pas një takimi me Nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, është konfirmuar se edhe pala malazeze do të marrë pjesë në financimin e kësaj lidhjeje rrugore.
Sipas komunikimit zyrtar nga Kryeministri i Malit të Zi, pritet që të vijojnë procedurat mes dy qeverive për vendosjen në funksion të pikës së kalimit kufitar në Qafë Vranicë, një element kyç për realizimin e plotë të projektit.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve. Përfitimet pritet të jenë të shumta, sidomos në rritjen e potencialit turistik dhe ekonomik të gjithë rajonit.
Autoritetet theksojnë se ky është vetëm një nga projektet që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të Tropojës, duke paralajmëruar lajme të tjera pozitive në të ardhmen e afërt.






