Ballina Aktualitet Akademiku Rexhep Qosja shuhet në moshën 89-vjeçare! Familja: S’do organizojmë ceremoni pritjeje,...

Akademiku Rexhep Qosja shuhet në moshën 89-vjeçare! Familja: S’do organizojmë ceremoni pritjeje, ishte dëshirë e tij

Akademiku Rexhep Qosja është shuar në moshën 89-vjeçare. Lajmin e hidhur e kanë konfirmuar vetë familjarët e Qoses përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.
Nipi i akademikut Valjet Rexhepi thotë se është kryer edhe përcjellja e tij për në banesën e fundit. Ndër të tjera ai thekson se Qosja kishte lënë amanet që të mos organizohej ceremoni pritjeje nga familja. Ai shton gjithashtu se familjarët nuk do të marrin pjesë në organizime institucionale.

“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.
Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftimin e publikuar nga nipi Valjet Rexhepi.Rexhep Qosja ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj (Plavë-Guci, sot në Mal të Zi).Qosja është shkrimtar, studiues, kritik letrar, historian i letërsisë dhe akademik. Ka qenë për shumë vite pjesë e Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe një nga zërat më të njohur në debatet kulturore e politike shqiptare.

Ai ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai ka qenë profesor dhe drejtues studimesh në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ishte edhe drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981

I lindur në vitin 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja arsimin fillor e nisi në vendlindje dhe e vazhdoi në Guci. Në vitin 1959 përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa një vit më vonë u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi më 1964. Rruga e tij akademike vazhdoi me angazhimin në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku u pranua si asistent në vitin 1967 dhe më pas u ngrit në nivelet më të larta shkencore.

Gjatë viteve 1967–1968 u specializua për shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit, ndërsa në vitin 1971 mbrojti doktoratën mbi jetën dhe veprën e poetit Asdreni. Pas kësaj, ai u bë bashkëpunëtor i lartë dhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nga viti 1972 deri më 1981 drejtoi Institutin Albanologjik, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve albanologjike.

Qosja ishte autor i mbi tridhjetë librave që përfshijnë studime letrare, kritikë, romane, tregime, drama dhe publicistikë. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Anatomia e kulturës” dhe romani “Bijtë e askujt”, për të cilin u nderua me çmimin “Pjetër Bogdani” në vitin 2010. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe kanë qenë objekt studimi në qarqe akademike.

Për kontributin e tij të çmuar, ai u nderua me shumë çmime, përfshirë çmimin “Nderi i Kombit” nga Republika e Shqipërisë në vitin 2000. Përveç veprimtarisë shkencore e letrare, ai ishte i angazhuar edhe në jetën politike të Kosovës, duke drejtuar një parti në periudhën 1998–2000.

Disa nga veprat e Rexhep Qoses:

Episode letrare, Rilindja, Prishtinë, 1967.
Dialogje me shkrimtarët, Rilindja, Prishtinë, 1968.
Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969.
Antologjia e lirikës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1970.
Kontinuitete, Rilindja, Prishtinë, 1972.
Asdreni – jeta dhe vepra e tij, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1972.
Panteoni i rralluar, Rilindja, Prishtinë, 1973.
Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja, Prishtinë, 1974.
Shkrimtarët dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishitnë, 1975.
Anatomia e kulturës, Rilindja, Prishtinë, 1976.
Mite të zhveshura, Rilindja, Prishtinë, 1978.
Prej tipologjisë deri te periodizimi, ASHAK, Prishtinë, 1979.
Morfologjia e një fushate, Instituti Albanologjik,Prishtinë, 1980.
Nocione të reja albanologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1983.
Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi I-II-III, Rilindja, Prishtinë, 1984-1985.
Antologjia historike e letërsisë shqipe. Poezia dhe Proza, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Prishtinë, 1985.
Porosia e madhe, Prishtinë, 1986.
Populli i ndaluar, Prishtinë, 1990.
Fjalori demokratik, Prishtinë, 1997.
Çështja shqiptare, Historia dhe politika, Prishtinë, 1998.
Ligjërime paravajtëse, Prishtinë, 1998.
Strategjia e bashkimit kombëtar, Prishtinë, 1998.
Paqja e përgjakshme, Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, Prishtinë, 1999.
Tronditja e shekullit I, Tiranë, 2001.
Tronditja e shekullit II, Tiranë, 2001.
Një dashuri dhe shtatë faje, roman, bot. Toena, Tiranë, 2001.
I ringjalluri i penduar, tregim satirik. Toena, Tiranë, 2002.
Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne – Shkrimtarë dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2006.
Ideologjia e shpërbërjes, trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Toena, Tiranë, 2006.
Realiteti i shpërfillur, Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, Toena, Tiranë, 2006.
Të vërtetat e vonuara: përgjigje e dytë në polemikat e Ismail Kadaresë dhe të bashkëmendimtarëve të tij, Toena, Tiranë, 2006.
Rilindja e dytë, Toena, Tiranë, 2007.
Nata është dita jonë, Toena, Tiranë, 2007.
Bijtë e askujt, I dhe II, Valdoli, 2010.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks