Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka çelur aktivitetin pesëditor, nën moton “Dije ndërkombëtare, forcë lokale”. Ky event ndërkombëtar synon të forcojë bashkëpunimin akademik, shkëmbimin kulturor dhe rrjetëzimin mes universiteteve partnere nga vende të ndryshme.
Fjala e rekorit Gjuraj: “Kjo javë do të jetë një mundësi emocionuese që mund të sjellë përfitime të rëndësishme si për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ashtu edhe për institucionet tuaja. Jemi të lumtur të themi se sot kemi përfaqësues nga shumë vende këtu: nga Italia, Gjermania, Franca dhe Bullgaria, si fizikisht, ashtu edhe online. Dialogu me ju mund të hapë dyer për shumë iniciativa: projekte të përbashkëta midis UNISHK dhe universiteteve tuaja, shkëmbime stafi dhe studentësh, përvoja menaxheriale, bashkëpunim institucional, iniciativa kërkimore dhe, mbi të gjitha, mënyra se si të ndërtojmë ndërkombëtarizimin. Ju bëjmë me dije se këtë tetor do të hapim dy programe bachelor në gjuhën angleze: Trashëgimi Kulturore dhe Administrim Biznesi. Në mënyrë bilaterale, jemi të gatshëm të diskutojmë me ju të gjitha iniciativat e mundshme dhe të shqyrtojmë se si mund të formalizojmë partneritete së bashku. Përvoja e kësaj jave do të forcojë më tej interesin tonë për zhvillimin e një bashkëpunimi akademik afatgjatë me universitetet tuaja dhe për të ndërtuar një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm. Pra, shijoni qëndrimin tuaj në Shkodër dhe shpresojmë t’ju shohim përsëri në të ardhmen”.
Aktiviteti vijoi me një koncert nga studentët e Arteve dhe prezantime nga universitete pjesëmarrëse, duke krijuar një atmosferë bashkëpunimi dhe diversiteti kulturor. Gjatë javës janë planifikuar panele diskutimi mbi rolin e dijes në zhvillimin ndërkombëtar dhe lokal, kurse të gjuhës shqipe për të huajt, si dhe aktivitete ndërkulturore e vizita në qytet. Një ndër temat kryesore të ditëve në vijim është pozicionimi i Shkodrës si qendër e inovacionit dhe ndërkulturalitetit. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të vizitojnë pika të rëndësishme kulturore si Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Muzeu Etnografik i Shkodrës dhe Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës. Java do të përmbyllet me një panair universitetesh, shpërndarjen e certifikatave dhe një vizitë në Kalaja e Rozafës si dhe në Liqeni i Shkodrës, duke i dhënë kështu një përmbyllje simbolike një aktiviteti që ndërthur dijen ndërkombëtare me vlerat lokale.






