Ballina Kronike SPAK godet një grup të strukturuar kriminal ndërkombëtar; ekzekutohen masat e sigurimit...

SPAK godet një grup të strukturuar kriminal ndërkombëtar; ekzekutohen masat e sigurimit dhe sekuestrohen pasuri me vlerë 12 milionë euro

SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 153 të vitit 2023, ka finalizuar një operacion kompleks kundër një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine në Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.

Në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, hetuesit e BKH-së kanë vijuar hetimet intensive në drejtimin e prokurorëve të posaçëm.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme me vendimin nr.20, datë 14.4.2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e e sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj 11 shtetasve shqiptarë.

Sot, më 15.4.2026, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur zbatimin e masave të sigurisë ndaj shtetasve:

  1. Florian Marku, i datëlindjes 20.2.1992;
  2. Lulzim Pepaj, i datëlindjes 06.7.1974.
  3. Anton Kola, i datëlindjes 19.6.1993.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Bashkëpunim me hetuesit e BKH vazhdojnë me veprimet proceduriale dhe operative për lokalizimin e shtetasve të tjerë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë personale “arrest në burg”. Disa prej këtyre personave nuk ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

8 EPISODET E TRAFIKUT TË LËNDËS NARKOTIKE

Episodi 1 – Janar- Mars 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës Janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21.03.2020 u sekuestrua një sasi prej 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 2 –   7-8 Prill 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.

Episodi 3 – 6 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.

Episodi 4 – 26 Qershor 2020 –  Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP World Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.

Episodi 5  – 30 Qershor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë më, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.

Episodi 6  –  7 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës është sekuestruar një sasi prej 104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 7 –  16 Gusht 2020 –  Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike kokainë, e cila ishte ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antwerp, e destinuar për një kompani në Hagë.

Episodi 8 – 1 –  2 Tetor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej  531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

Me vendimin nr.273, datë 14.4.2026, bazuar në nenin 274 të Kodit të Proçedurës Penale GjKKO ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të drejtëpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim, konkretisht ndaj pasurive:

SEKUESTRIMET (në vlerën 12 milionë euro)

Pasuritë e Shoqërisë “P… GROUP”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Kuotat e Shoqërisë “HEC A…I”, sh.p.k, me seli qendrore në Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz në masën 33.30 % , të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “B….V”, sh.p.k, me seli qendrore në Lezhë, fshati Fang, Rubik, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “Sh……i 2013”, sh.p.k, me seli qendrore në Shëngjin, Lezhë, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut L.P.

Pasuritë e Shoqërisë “O….. Hotel”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “M….. N… A………”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “E…… AL”, sh.p.k, me seli qendrore në Ishull-Shëngjin Lezhë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.

89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura).

72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.

Më 15 prill 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në zyrat e regjistrimit dhe në bankat e nivelit të dytë.

SPAK falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara për bashkëpunimin e ngushtë në ekzekutimin e masave të sigurisë.

Falenderim të veçantë për Eurojust, Europol, autoritetet gjyqësore franceze, holandeze dhe britanike për bashkëpunimin intensiv dhe ndihmën në kuadër të hetimeve të këtij proçedimi penal. 

 

Shënim për gazetarët 

Veprat penale:

“Trafikimit të lëndëve narkotikëve” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktura kriminal,

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal, 

“Grupi i strukturuar Kriminal”,

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal“të parashikuar nga nenet, 283/a e 28/4, 287 e 28/4, 333/a dhe 334,  të K.Penal.

 

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks