Ballina Analiza dhe Komente Ted Kopliku: Sqarim publik dhe përgjigje për një mashtrues publik si Benet...

Ted Kopliku: Sqarim publik dhe përgjigje për një mashtrues publik si Benet Beci

Nga Ted Kopliku: Sqarim publik dhe përgjigje për një mashtrues publik si Benet Beci.
Më kanë pyetur shpesh cila është arma më e fortë që kam në këtë që bëj dhe, pa u menduar, jam përgjigjur që nuk gënjej. Atë që e them para kamerave, e them edhe pa kamera dhe këtë, pavarësisht inteligjencës, njohurive apo kategorive, njerëzit e ndjejnë. Në këtë kuptim, fjalën e kam armën e vetme dhe më të fortën. Mund të mos biesh dakord me konkluzionin e argumentimit tim, por rrallë jam ballafaquar me akuzën që po gënjej.
Dje denoncova prishjen e një investimi, jo sepse jam kundër lirimit të hapësirave publike, por sepse kjo prishje bëhet pa asnjë lloj konsensusi apo një kontrate sociale me sipërmarrësit, në mënyrë që ata të dëmtohen sa më pak. Kjo situatë e krijuar ndër vite nuk është për shkak të tyre, por si rezultat i paligjshmërisë dhe informalitetit të akumuluar ndër vite.
Mes dhjetëra e qindra prishjeve, Benet Beci, që më të shenjtë se asgjë ka propagandën, shkon pikërisht në këtë biznes dhe bën një video sikur sipërmarrësi është vetëofruar për lirimin e hapësirave publike.
Realiteti është krejt tjetër. Në biznes kanë zbarkuar rreth 30 persona dhe, sipas dëshmitarëve dhe të dëmtuarve, janë sjellë si bandë. Sipërmarrësi nuk ka arritur të ketë asnjë komunikim me përfaqësuesit e Bashkisë për të gjetur një kompromis dhe heshtja ka qenë totale nga Kryetari i Bashkisë.
Sot, si në gjyqet e Enverit morëm dëshminë e të kundërtes të asaj që denoncoja mbrëmë. Njësoj si atëherë, të dënuarit, pasi torturoheshin, pranonin publikisht që ishte faji i tyre për situatën e krijuar dhe për luftën që kishin tentuar t’i bënin pushtetit popullor, në rast se ata nuk “vetëvriteshin” nga torturat.
Unë s’do të publikoj kurrë mesazhe apo emra, por për këtë që them ka dëshmitarë dhe asnjëherë nuk kam publikuar pa lejen e të dëmtuarve, duke ditur situatën e terrorit dhe shtypjes që jetojmë. Këtë herë jo vetëm që kisha autorizim, por edhe kërkesë për ta bërë këtë denoncim.
Këtë betejë që bëj, do ta bëj edhe sikur të jem i vetëm. Kur të jem i detyruar të gënjej, do të tërhiqem nga ky mision. Deri atëherë më keni përballë.
E di çmimin e kësaj beteje, sidomos kur kemi një shoqëri të nënshtruar, por unë ende mendoj që shqiptarët meritojnë të jenë të lirë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks