Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin V. L., 35 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit shpallën në kërkim një shtetas të mitur, 17 vjeç, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi më datë 03.04.2026, në lagjen “Qemal Stafa”, është konfliktuar me shtetasit E. P., 19 vjeç, dhe E. Sh., 18 vjeç. Si pasojë, këta dy shtetas kanë marrë dëmtime në trup me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta. Nga kryerja e veprimeve hetimore është bërë i mundur sekuestrimi i një aparati celular, një mjeti prerës (thikë) dhe një sasie lënde narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Ç., 32 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, pasi në subjektin tregtar që administron ky shtetas është aksidentuar gjatë punës dhe ka marrë dëmtime të lehta në këmbë shtetasi nigerian I. T., 18 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. N., 23 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka vjedhur një sasi parash në banesën e shtetases M. S., 60 vjeçe, banuese në Shkodër.
Po këta specialistë bënë të mundur gjetjen e një 15-vjeçari, i cili ishte larguar nga banesa më datë 25.03.2026.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. B., 28 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi pa lejen përkatëse.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori për njoftim mbi faktin, pasi është bërë e mundur gjetja e një 16-vjeçareje, e cila ishte larguar nga banesa më datë 03.04.2026.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
–
Informacion paraprak/Rreth orës 12:05, në aksin rrugor “Shkodër–Muriqan”, automjeti me drejtuese shtetasen D. B., është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin V. D., 25 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar drejtuesi i motomjetit, shtetasi V. D., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.






