Një debat publik është ndezur mes ish-zëvendësministrit të Kulturës, Zef Çuni, dhe deputetes Marjana Koçeku, lidhur me menaxhimin dhe mbrojtjen e kullave të vjetra dhe ndërtesave tradicionale në zonën e Shkodrës. Në një reagim të gjatë, Çuni i është përgjigjur kërkesës së deputetes për hartimin e hartave prioritare për çertifikimin e kullave, duke theksuar se një pjesë e mirë e këtyre instrumenteve tashmë ekzistojnë.
“Në ndihmë të deputetes Koçeku që kërkon harta prioritare për çertifikimin e kullave të vjetra mbi Shkodër dhe ndërtesave tradicionale në qytet,” – shkruan ai, duke renditur disa fakte konkrete:
Sipas Çunit:
- Ekziston harta e Qendrës Historike të Thethit, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Ekziston harta e Qendrës Historike të Shkodrës, si dhe ajo e banesave tradicionale.
- Është hartuar lista e monumenteve të kulturës për gjithë veriun e Shqipërisë.
- Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me GIZ dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës, ka nisur identifikimin e kullave të tjera në veri.
Ai thekson gjithashtu se hartimi i hartave për kullat dhe monumentet nuk është detyrë e AKSH-së, por e Ministrisë së Kulturës, e cila sipas tij “e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë këtë proces me institucionet përkatëse”.
Në thelb të reagimit të tij, Çuni nënvizon se problematika nuk qëndron te mungesa e hartave, por te mungesa e vizionit dhe investimeve:
“Mbrojtja, restaurimi dhe ruajtja e kullave dhe monumenteve nuk është çështje hartash, por çështje vizioni, prioritetesh dhe investimesh.”
Ai paralajmëron se, ndonëse lista e monumenteve po zgjerohet, shumë prej tyre nuk po mirëmbahen siç duhet, ndërsa dëmtimet në zona si Shkodra dhe Thethi po shtohen çdo ditë.
Një pjesë e kritikave të tij drejtohet ndaj Bashkisë Shkodër, për të cilën ai pretendon se prej tre vitesh ka bllokuar lejet e restaurimit të miratuara nga Ministria e Kulturës për qendrat historike të Shkodrës dhe Thethit. Sipas Çunit, kjo është bërë me arsyetimin e hartimit të një plani zhvillimi vendor (PDV), i cili ende nuk është realizuar.
Ai shton se ndërkohë infrastruktura në këto zona po degradon, duke përmendur probleme me energjinë elektrike, pastrimin dhe shërbimet bazë.
Në fund të reagimit, ish-zv.ministri i bën thirrje deputetes Koçeku që të përqendrojë përpjekjet në sigurimin e financimeve dhe investimeve cilësore, si dhe në hartimin e projekteve shkencore për restaurim:
“Në të kundërt, rrezikojmë t’i bëjmë më shumë dëm sesa mirë turizmit dhe jetës në këto zona.”
Debati pritet të vijojë, ndërsa çështja e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në veri mbetet një nga sfidat kryesore për institucionet vendore dhe qendrore.






