Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në unazën perëndimore, bëjmë me dije se oficerët e Policisë Gjyqësore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. L., 64 vjeç, pasi rezultoi se e drejtonte automjetin, në efektin e alkoolit. Nga aksidenti u dëmtuan drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi M. N., dhe pasagjerja në automjetin e tij, të cilët morën mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. P., 39 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, pasi automjeti që posedonte rezulton i vjedhur në Gjermani.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Gj. P., 67 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës dhe motrës së tij, të cilat u pajisën me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Q. C., 72 vjeç, banues në fshatin Kçar i Poshtëm, pasi ka kallëzuar shtetasi A. B., 51 vjeç, se 72-vjeçari ka përvetësuar një sipërfaqe toke përpara banesës së tij, në fshatin Kçar i Poshtëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






