Prej gati dy muajsh banorët e zonës së Rrjollit në Shkodër vijojnë protestat kundër punimeve për ndërtimin e resorti luksozit nga botuesi Bashkim Ulaj. Edhe këtë të enjte protestuesit marshuan drejt kantierit në bregdetin e Velipojës ku po kryhen punimet për projektin turistik.
Forcat e policisë formuan menjëherë perimetrin e sigurisë për të mos lejuar dëmtimin e punëtorëve dhe makinerive. Situata u tensionua dhe pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, ndërsa disa banorë u shoqëruan në komisariat.
Banorët shprehen se toka është e tyre dhe se nuk do lejojnë t’ua marrin atë.”Është toka jonë, s’lejojmë të na e marrin. Malësorët e mbrojnë tokën me gjak”, shprehen ata.
Ata i bëjnë thirrje edhe Fatmir Shpellzaj që të paraqesë dokumentat nëse ai i ka.
Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit pasi mori lejen e ndërtimit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik.






