Ballina Kronike Afera CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA/ GJKKO kalon për gjykim Metën, Kryemadhin...

Afera CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA/ GJKKO kalon për gjykim Metën, Kryemadhin e 3 të tjerë! Ish-deputetja: Gjyq politik, gjyqtarja vendosi nën presion

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi sot për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë. Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.

SPAK mbylli hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi më 28 korrik të vitit të kaluar dhe në fund të gushtit e dërgoi çështjen në gjykatë. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Nga pesë të pandehurit, i vetmi që ndodhet në burg është Ilir Meta, i arrestuar në tetor të vitit 2024. Të gjitha kërkesat e tij për ndryshim të masës së sigurisë janë rrëzuar, përfshirë edhe një kërkesë të shqyrtuar së fundmi nga Gjykata e Lartë.

KUSH KALON PËR GJYKIM
Ilir Meta
Akuzat: Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie
Monika Kryemadhi
Akuzat: Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie
Pirro Xhixho
Akuza: Korrupsion
Fatime Kryemadhi
Akuza: Pastrim Parash
Ema Çoku
Akuza: Pastrim Parash

Do ta shihni mjerimin qytetar dhe ligjor të sistemit të drejtësisë që SHBA dhe BE kanë harxhuar 140 mln euro për të sjellë një inkuizicion politik. Akuzohemi se kemi bërë korrupsion unë me Shatkun, por nuk është marrë kurrë në pyetje. Nuk është çuar qoftë një letër porosi për të pyetur nëse ekziston ky njeri.

Monika Kryemadhi: Kjo është një drejtësi qesharake. Por ka një gjë të mirë ky vendim, se për në Strasburg Metës i jep shans të madh, jo vetëm për të zbardhur çështjen në lidhje me veten e tij, por edhe për të treguar që ato miliona dollarë taksapaguesit amerikanë dh evropianë kanë paguar për një sistem drejtësie, për të cilën kryepolicët e drejtësisë thonë që gjykata afërmendsh merr vendimin që thotë prokuroria. Unë s’kam asnjë lloj surprize. Ky është gjyq politik, ka qenë gjyq politik. Kam frikë se videot e Agasit kërcënojnë shumë njerëz edhe brenda GJKKO. Fatin tonë në dorë nuk e ka as GJKKO-ja, as Prokuroria, fatin tonë e kemi vet në dorë, kjo është betejë me opinionin publik, beteja me drejtësinë ka munguar. Beteja jonë është betejë me vetveten dhe me zotin.

Monika Kryemadhi: Sa i përket vendimit të sotëm, mund të them ishte një vendim nën presion.

Gazetarët: Gjyqtarja nën presion?

Monika Kryemadhi: Patjetër, sepse pranoi që në dosje 90% e akuzës së prokurorëve nuk ka asnjë provë. Prokurorët në 80% të akuzave thonë që ne i kemi perceptime, unë mund t’iu them që në dosje s’ka asgjë. Do shikoni, kam paguar për dashnorët apo jo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks