Që prej emërimit të drejtorit të Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, një sërë përjashtimesh në radhët e policisë kanë mbajtur firmën e tij.
Në dy muaj, 6 efektivë kanë dorëzuar uniformat blu, e ndërsa 3 të tjerë Rrumbullaku i ka dërguar në Drejtorinë e Standardeve ku mësohet se AMP ka kërkuar përjashtimin e tyre.
Pjerin Lazri, i cili ka mbajtur detyrën e shefit të komisariatit të Pukës, ishte i fundit që u hoq nga puna.
Pas një denoncimi një ditë më parë ku shfaqej shefi i komisariatit në Pukë teksa dhunon dhe ofendon një qytetar, Drejtori firmosi largimin e tij.
Rasti më flagrant ndodhi me 16 tetor, ku efektivi i policisë rrugore u kap në Turqi pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar droge.
Florenc Bicerri edhe pse vijonte detyrën si punonjës i policisë së qarkullimit, në të njëjtën kohë kryente dhe aktivitetin e paligjshëm.
Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme, Rrumbullaku po përgatit një sërë ndryshimesh, në listën e të cilit janë shefat e komisariateve dhe të drejtorive.
Javën e ardhshme ai ka thirrur një takim me të gjithë vartësit për të bërë një analizë që pritet të finalizohet me ndryshime në strukturë./ora






