Për herë të parë në Shqipëri, treni ka pushuar plotësisht së funksionuari dhe këtë vit nuk do të vihet në punë as pjesërisht, siç ka ndodhur në vitet e kaluara. Deri tani, çdo vit gjatë periudhës së 13 të martave të Shna Ndout, ishte bërë traditë që linja hekurudhore Shkodër–Laç të funksiononte për të lehtësuar udhëtimin e besimtarëve që shkonin në Kishën e Shna Ndout në Laç.
Megjithatë, këtë vit situata është ndryshe raporton newspower.al. Sipas informacioneve të fundit, shërbimi hekurudhor nuk do të vihet në funksion as për këtë periudhë, duke shënuar herën e parë që besimtarët nuk do të kenë mundësinë të udhëtojnë me tren drejt Laçit gjatë këtij pelegrinazhi të rëndësishëm.
Ndërkohë, nesër nisin zyrtarisht 13 të martat e Shna Ndout, një nga traditat më të rëndësishme fetare në vend, që çdo vit mbledh mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë. Pavarësisht mungesës së trenit këtë vit, pritet që pelegrinët të vazhdojnë të udhëtojnë drejt Laçit me mjete të tjera transporti për të marrë pjesë në lutje dhe ritualet tradicionale./ newspower.al






