Shqipëria mund të përjetojë të njëjtën situatë si disa vite më parë, kur pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë shumë qytetarë nga këto vende erdhën në Shqipëri, jo vetëm për turizëm, por edhe për të blerë prona dhe për të jetuar në vend.
Tashmë që konfliktet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen, Shqiperia mund të përfitojë duke përthithur më shumë turistë nga këto vende.
“Ne, me thënë të drejtën, mund të kemi një lloj interesi, sepse shumë tregje të fuqishme që operojnë në Shqipëri, si polakët dhe gjermanët, po kërkojnë shtim të kapaciteteve të akomodimit. Ata e shohin me rrezik udhëtimin në vendet ku ka konflikt dhe mjaft klientë po kërkojnë të vijnë në vendin tone”, tha Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik
Sipas të dhënave nga Aeroporti i Tiranës, gjatë vitit të kaluar rreth 6% e totalit të pasagjerëve që mbërritën në Shqipëri ishin nga vendet e Lindjes së Mesme. Një përqindje që pritet të rritet ndjeshëm gjatë këtij viti.
“Dubai ka një turizëm të jashtëzakonshëm, por edhe Turqia dhe Egjipti kanë një ndikim shumë të madh. Shumë klientë po kërkojnë që të rrisim kapacitetet e akomodimit në Shqipëri”, shtoi Kasa.
Për herë të parë në pesë vitet e fundit, numri i turistëve në baza mujore ka regjistruar rënie, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave. Megjithatë kjo nuk pritet të ndikojë në totalin vjetor, pasi sipas Unionit Turistik numri i turistëve në Shqipëri pritet të rritet me rreth 6% deri në fund të vitit.






