Ballina Aktualitet Raporti 2025/ SPAK adreson problematikat: Rritje e kërcënimeve nga krimi, përfundimi i...

Raporti 2025/ SPAK adreson problematikat: Rritje e kërcënimeve nga krimi, përfundimi i mandatit të prokurorëve rrezik për vijimin e hetimeve

Raporti vjetor i vitit 2025 i Strukturës e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar evidenton se korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar mbeten sfidat kryesore për Shqipërinë. Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë të përfshira në rrjete ndërkombëtare, veçanërisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të paligjshme që shtrihen përtej kufijve të vendit. Në raport thuhet se

 “Gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është rreth 45.4 milionë euro, prej të cilave rreth 43.49 milionë euro, është vlera e aseteve të sekuestruara dhe rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara. Në vlerën e aseteve të sekuestruara përfshihet dhe sekuestrimi i kriptovalutave, me vlere ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë ose rreth 12.4 milionë euro. Vlera e pasurive të sekuestruara për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar është rreth 42.4 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara për këtë kategori veprash penale është rreth 1.8 milionë euro. Sa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100,000 euro.”

Dokumenti thekson se trafiku i narkotikëve, sidomos i kokainës dhe kanabisit drejt vendeve të Bashkimit Europian, mbetet aktiviteti më fitimprurës për grupet kriminale. Një pjesë e konflikteve të dhunshme dhe vrasjeve në vend lidhen pikërisht me përplasjet mes këtyre grupeve për kontrollin e tregut të drogës. Po ashtu, raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon të konsiderohet një burim i rëndësishëm i armëve ilegale që qarkullojnë në rajon dhe në Europë. Një tjetër shqetësim i evidentuar nga SPAK është pastrimi i parave, i cili sipas raportit kryhet kryesisht përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe bizneseve të ndryshme. Kjo praktikë, sipas institucionit, deformon konkurrencën në ekonomi dhe ndikon negativisht në treg. Raporti ndalet gjithashtu te korrupsioni në administratën publike dhe në pushtetin vendor, duke theksuar se një pjesë e hetimeve kanë përfshirë zyrtarë të lartë, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të qeverisjes vendore, kryesisht për çështje që lidhen me tenderat publikë, përdorimin e fondeve dhe dhënien e lejeve të ndërtimit. SPAK vlerëson se sfidat mbeten të mëdha, sidomos në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit në nivele të larta, duke nënvizuar nevojën për forcimin e kapaciteteve hetimore dhe bashkëpunimit institucional. SPAK ka identifikuar disa sfida kryesore në funksionimin e institucionit, që kërkojnë ndryshime ligjore të mundshme në Kushtetutë, për të garantuar cilësinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucionit. Prokuroria e Posaçme thekson rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi, mospërcaktimi i qartë ligjor e përfundimit të mandatit të prokurorëve, bashkëpunimi me institucionet e tjera apo dhe me ato ndërkombëtare.  Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbenin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës. Prokuroria e Posaçme ka shënuar rritje të volumit të hetimeve penale gjatë vitit 2025, sipas raportit vjetor. Janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet të reja, të regjistruara gjatë vitit 2025 dhe 39 prej të cilave janë bashkuar, ndërsa 577 janë të mbartura nga viti 2024. Sa i përket volumit të punës në mbylljen e hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vijuar të tregojë qëndrueshmëri me 216 çështje/hetime të përfunduara në vitin 2025, duke ruajtur të njëjtin nivel me vitin 2024. Nga 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë ta lartë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi 50% e tyre (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks