Sokol Bizhga merr zyrtarisht detyrën si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i komanduar. Shkresa që mban numrin 70/y e firmosur nga ministrja e Brendshme Albana Koçiu, i është dërguar në mesditë Drejtuesit të Lartë Sokol Bizhga, i cili deri më tani mbante postin e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm.
Kompetencat e kryepolicit Bizhga i mori pas shkarkimit nga detyra të Ilir Prodës me arsyetimin se në protestën e Partisë Demokratike më 28 shkurt nuk u ruajt rendi dhe siguria, kryesisht në Vila 31, ish vila e Enver Hoxhës, ku protestuesit hodhën molotovë e fishekzjarrë ndërsa brenda godinës ndodheshin 7 artistë francezë.
Sokol Bizhga do të qëndrojë në këtë detyrë derisa pasuesi i Ilir Prodës të zgjidhet me konkurs. Garues duhet të jenë të gjithë ata persona që mbajnë gradën Drejtues, Drejtues i Parë dhe Drejtues i Lartë në Policinë e Shtetit
Tashmë me marrjen zyrtarisht të kompetencave të Drejtorit të Përgjithshëm, pritet që Sokol Bizhga t’i komunikojë shkarkimin nga detyra edhe Drejtorit të Policisë së Tiranës, Elton Alushi, me po të njëjtin argument si edhe Ilir Proda.
Kjo për shkak se ligji në Policinë e Shtetit parashikon që drejtorët vendorë emërohen dhe shkarkohen vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.






