Të shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës pas protestës së dhunshme të 28 shkurtit, 15 banorë të Rrjollit janë dorëzuar ditën e sotme në komisariat të shoqëruar nga avokati i tyre Ndue Pjetra. Për të njëjtën ngjarje janë arrestuar 2 të tjerë ndërsa 7 persona po hetohen në gjendje të lirë.
Protesta e të shtunës përshkallëzoi në dhunë fizike mes banorëve të Rrjollit dhe punonjësve të kompanisë “Breçani Security” të kontraktuar nga Bashkim Ulaj me qëllim sigurimin e stafit të kompanisë së tij “Gener 2” dhe të kantierit të ndërtimit. Ulaj ka filluar punimet për ndërtimin e një resorti luksoz ndërsa prej 1 muaj po përballet me kundërshti të forta nga banorët e zonës, të cilët kërkojnë që Ulaj të largohet nga prona e tyre.
Avokati Ndue Pjetra tha se kërkesa për arrestimin e banorëve të Rrjollit është një manovër e Policisë së Shkodrës me qëllim parandalimin e protestave. Përplasja e dhunshme ka ndodhur me policisë private, njëri prej të cilëve ka mbetur dhe i plagosur. Avokati Pjetra thotë se nuk ka asnjë kallëzim penal nga “Breçani Security” dhe as nga banorët e zonës, por është policia që kërkon ndaljen e protestave duke favorizuar Bashkim Ulajn.
“Qëllimi kryesor i këtyre është që mundohen me çdo kusht që të mos protestojnë. Këta nuk kanë frikë se kanë pronën vet e nuk e kanë problem të vijnë në polici e me bandat e tokave dhe me radhë. Ardhja sot është me treguar se jemi në tokat dhe në punën tonë. Janë ata që kanë ardhur në tokat tona me letra të falsifikuara. Për ta larguar fadromën nga toka e tyre ky mekanizëm është. Do i thyejnë xhamin, do e heqin copa copa për ta larguar nga toka e tyre. Protesta do të vazhdojë. Shqipëria duhet të solidarizohet se nesër do t’i bjeri në kokë secilit. Dihet që dokumentet janë të falsifikuara. Ku është i plagosur. Të plagosurit janë këta. Një e kemi parë që është rrëzuar duke iku në vrap”, tha ndër të tjera avokati Ndue Pjetra.






