Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike, e nxitur nga një valë e pandalshme emigracioni që po zbraz vendin nga popullsia e re dhe vitale. Të dhënat e fundit tregojnë një tablo alarmante, ku të rinjtë dhe familjet e reja dominojnë fluksin e largimeve, duke përshpejtuar plakjen e popullsisë dhe duke kërcënuar të ardhmen social-ekonomike të vendit.
Sipas shifrave të Eurostat, vetëm gjatë vitit 2023, rreth 44,000 shtetas shqiptarë emigruan drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ky numër është pjesë e një trendi të përshpejtuar pas pandemisë, ku në harkun kohor të katër viteve (2020-2023), të paktën 180,000 persona u larguan. Këto statistika nuk përfshijnë destinacione të tjera të rëndësishme si Mbretëria e Bashkuar, e cila pa një kulm të emigracionit shqiptar në vitin 2022.
Një analizë e detajuar e profilit të emigrantëve për vitin 2023 konfirmon se rinia është forca kryesore lëvizëse. Plot 62% e të larguarve ishin nën moshën 35 vjeç. Grupmosha më e prekur është ajo 25-29 vjeç (14.3%), e ndjekur nga mosha 30-34 vjeç (13%). Po aq shqetësues është fakti që po largohen familje të tëra, pasi fëmijët nën 15 vjeç përbënin 18% të totalit, një tregues i qartë se emigracioni nuk shihet më si një zgjidhje e përkohshme.
Pasojat e kësaj hemorragjie demografike janë të drejtpërdrejta dhe dramatike. Largimi masiv i të rinjve po shkakton një plakje të përshpejtuar të popullsisë. Mosha mesatare në Shqipëri, e cila ishte 34.7 vjeç në vitin 2015, parashikohet nga Eurostat të arrijë në 44.3 vjeç në vitin 2025, duke iu afruar me shpejtësi mesatares europiane (44.9 vjeç).
Në të njëjtën kohë, largimi i popullsisë në moshë riprodhuese, i kombinuar me uljen e fertilitetit (mesatarisht 1.21 fëmijë për grua), ka çuar në një rënie historike të lindjeve. Numri i lindjeve në vitin 2023 ra në nivelin kritik prej 21,425, një tkurrje prej 74% krahasuar me mbi 82,000 lindjet e regjistruara në fillim të viteve ’90.
Kjo situatë paraqet një sfidë ekzistenciale për vendin. Të dhënat zyrtare të INSTAT për migrimin neto (diferenca mes të larguarve dhe të kthyerve) konfirmojnë thellësinë e krizës. Për vitin 2023, ky tregues ishte thellësisht negativ në -43,761 persona, ndërsa mbeti në nivele të larta edhe në vitin 2024 me rreth -28,836 persona. Këto shifra tregojnë qartë se largimet tejkalojnë masivisht kthimet, duke sfiduar narrativat zyrtare për një përmbysje të trendit. / Monitor






