Ballina Aktualitet Reagon Gener 2 / Denoncon sulmin në Rrjoll: Dhuna nuk zëvendëson dot...

Reagon Gener 2 / Denoncon sulmin në Rrjoll: Dhuna nuk zëvendëson dot dokumentet dhe institucionet

Gener 2 dënon me forcë ngjarjet e ndodhura sot në Rrjoll, të cilat përbëjnë një akt të rëndë dhune ndaj rendit dhe ligjit në Shqipëri.

Persona të paautorizuar kanë hyrë me forcë në kantier, duke ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve tanë, duke rrahur persona të pranishëm, thyer pajisje pune dhe dëmtuar makineri.

Ky është një sulm i rrezikshëm kriminal, që cënon jo vetëm një investim privat, jo vetëm klimën e investimeve në vend, por edhe krijon një precedent të rrezikshëm që dhuna mund të zëvendësojë vendimet e gjykatave, sulmet të zëvendësojnë dokumentet e ligjshme dhe turma mund të zëvendësojë dhe vendosë mbi institucionet.

Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësim serioz për mungesën e reagimit parandalues nga organet përgjegjëse, konkretisht nga Prokuroria e Shkodrës, e cila prej kohësh është në dijeni të tensioneve të krijuara artificialisht në zonë, por nuk ka ndërmarrë veprime të qarta për të frenuar përshkallëzimin për të mos ardhur në këtë moment.

Mosveprimi, në raste të tilla, kthehet në inkurajim të hapur të dhunës.

Po aq përgjegjësi mbajnë edhe ata që prej ditësh kanë nxitur klimën e konfliktit, të ashtëquajtura portale që ushqejnë narrativa të pavërteta për interesa të errëta dhe politikanë shëtitës që shfaqen në terren vetëm për të ndezur situatën e konfliktit dhe për të kapitalizuar tensionin për qëllime të tjera.

Ne i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të veprojnë menjëherë, të identifikojnë autorët, organizatorët dhe nxitësit e kësaj dhune dhe t’i vënë ata përpara përgjegjësisë ligjore, pa asnjë tolerancë.

Çdo individ që ka ushtruar dhunë brenda kantierit duhet të përballet me pasojat ligjore, MENJËHERË!

I bëjmë thirrje Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë të vihet menjëherë në lëvizje për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e prokurorëve që kanë nxitur vetëgjyqësinë, duke u bërë në një farë mënyre palë me dhunuesit.
I kërkojmë qeverisë që të garantojë sigurinë e investimeve të ligjshme dhe të parandalojë çdo vandal që përpiqet të imponojë dëshirat dhe pretendimet e veta, jo me dokumente dhe me akte ligjore, po me forcë.

Gjithashtu i bëjmë thirrje forcave serioze politike që të mos inkurajojnë dhunën dhe përdorimin e forcës në dëm të biznesit dhe investimeve, sepse jo çdo protestë ka legjitimitet.

Në përfundim, shprehim vendosmërinë tonë se dhuna nuk do ta ndalë zhvillimin, intimidimi nuk do ta ndalë ligjin dhe projekti do të realizohet në përputhje të plotë me ligjin, pavarësisht se përveç baltës në terren duhet të përballemi edhe me baltën e shpifjeve dhe papërgjegjshmërisë që përpiqet ta pengojë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks