Tirana – Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në Vendimin nr.4, datë 9 janar 2025, që përcakton vlerat për elementët e pagës bruto mujore dhe kriteret për dhënien e shpërblimeve për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Sipas vendimit të ri, lidhjet nr.1, nr.2 dhe nr.3 të vendimit ekzistues zëvendësohen me versione të përditësuara, duke përfshirë edhe indeksimin e pagave për vitin 2026. Elementi “paga për gradë” do të rritet me 2.5% për të gjitha gradat, ndërsa punonjësit me gradën “Inspektor” dhe “Nënkomisar” përfitojnë nga një politikë e veçantë rritjeje.
Efektet financiare të këtij vendimi do të mbulohen nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i miratuar me ligjin nr.87/2025 për buxhetin e vitit 2026.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë janë ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe ka efekt që nga 1 janari 2026.
Vendimi u firmos nga Kryeministri Edi Rama.






