Efektivi i Policisë së Komisariatit nr. 5 në Tiranë, Aurel Kaziu, i arrestuar një ditë më parë në pikën kufitare të Merdarës nga Policia e Kosovës, është pezulluar nga detyra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policia e Shtetit.
28-vjeçari kishte përfunduar shërbimin e natës dhe ishte nisur drejt Kosovës, ndërkohë që kishte planifikuar dy ditë pushim, por pa njoftuar eprorët për daljen jashtë territorit të Shqipërisë. Ai ishte pjesë e strukturave të policisë prej rreth tre vitesh.
Sipas të dhënave paraprake, më herët ai është angazhuar në transport mallrash nga Shqipëria drejt vendeve të Evropës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe anasjelltas, për llogari të emigrantëve shqiptarë.
Gjatë operacionit, autoritetet kosovare sekuestruan rreth 1 milion euro, shumë për të cilën dyshohet se mund të jetë produkt i aktiviteteve kriminale dhe se po transportohej në mënyrë të paligjshme nga Kaziu dhe dy persona të tjerë.
Në vijim pritet bashkëpunim me autoritetet e Kosovës për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe shkallën e përfshirjes së efektivit në këtë rast.






