Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën paraprake për dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci. Për herë të tretë ky i fundit nuk u paraqit në gjyq, teksa i ka dhënë prokurë të posaçme avokatit të tij Ervin Metallës. Ky i fundit nuk ndodhej në gjyq, dhe kishte njoftuar togat e zeza se ndodhet në një proces tjetër. Benet Beci dhe 6 të pandehurit e tjerë akuzohen nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera kryer në bashkëpunim. Gjyqtarja Marinela Osmani shtyu seancën për të martën e ardhshme më 24 shkurt, ku SPAK do të lexojë kërkesën për kalimin në gjykim të dosjes dhe mbrojtja do të bëjë kundërshtimet. E pandehur në këtë proces është edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-drejtorit të përgjithshëm të autoritetit rrugor Evis Berberi që ndodhet në arrest. Sipas SPAK, Beci ka shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik” me vlerw 96.5 milion lek. Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Evis Berberit.



