Qëndrimet e përsëritura publike të kryeministrit Edi Rama kundër betejës së gjyqtarëve në Kushtetuese për çështjen e pagave të tyre, janë konsideruar si një “fushatë spekulimesh” nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve një ditë më parë.

Në një deklaratë publike, Shoqata e gjyqtarëve flet për një “tymnajë populiste që është krijuar dhe shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre lidhur me një proces gjyqësor kushtetues, i cili ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare”.

Shoqata Kombëtare e gjyqtarëve është një prej ankuesve në Kushtetuese, së bashku me Unionin e gjyqtarëve i cili nuk është pjesë e deklaratës.

Reagimi i Shoqatës përmban tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë, deklaratat e të cilit, të reflektuara dhe në media, etiketohen si “përbaltje kryeministrore, publike, tërësisht histerike, që synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjykimit”.

Këtij reagimi i është përgjigjur ditën e sotme kreu i qeverisë Edi Rama.

Sipas Ramës, një kërkesë e tillë është unike në historinë e Europës, ndërsa shtoi se qëndrimi i shoqatës bie ndesh me realitetin ekonomik dhe parimet e drejtësisë sociale.

Jam këtu në një komunikim të drejtpërdrejtë sepse jam absolutisht i surprizuar, le të themi me një fjalë të butë, nga një reagim shumë i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve, lidhur me shqetësimin e ngritur nga unë publikisht për një përpjekje që në këndvështrimin tim, është e pajustifikueshme, është e papranueshme dhe është e pagëlltitshme për t’iu imponuar Parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtarët me gjyq.

Këtë shqetësim publik unë e kam shprehur si palë, në emër të një pale, një pale me të drejtën për të mbrojtur interesin e vet, në këtë rast publik, në gjykatë. Pra, në emër të pushtetit ekzekutiv, por edhe si kryetar i shumicës parlamentare. 

Është hera e dytë që ndodh, që ka një habi shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur në fakt, unë flas në emër të çka përfaqësoj me votën e shqiptarëve, në mbrojtje të një interesi për të cilin jemi në gjyq. Pra, jemi palë dhe befas, shoqata e gjyqtarëve shfaqet publikisht si një parti politike, me një gjuhë të papranueshme dhe të pajustifikueshme për të ata të cilët përfaqësojnë pushtetin gjyqësor, pra përfaqësojnë një pushtet, i cili arbitron dhe jo një arbitër, i cili thotë ‘’bilbili është i imi, topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të rrijë pa portier’’.

Dëgjoni se çfarë gjuhe: “shoqata kanë ndjekur me keqardhje dhe shqetësim fushatën e spekulimeve publike të ndërmarrë nga kreu i Këshillit të Ministrave dhe gjithashtu dhe zhvillimin mediatiktë saj që kulmoi mbrëmjen e kaluar”, pra flasim për parmbrëmë ku pasi mora këtë informacion kuptova që ka patur disa emisione të mbrëmjes që janë marrë me këtë çështje dhe këto emisione të mbrëmjes, të organizuara në mënyrë krejt të pavarur prej meje dhe në mënyrë krejt të natyrshme siç organizohen çdo mbrëmje dhe shumë prej të cilave janë të pa mirëseardhura në aspektin përmbajtjesor, nga shumica qeverisëse, por kjo s’ka asnjë lloj problemi, futet në gjuhën tipike të një politike të vjetër, të dasisë dhe të urrejtjes duke i përshkruar gjykatësit e Republikës së Shqipërisë; – në fakt aty janë një dorë njerëzish që i shkruajnë dhe i bëjnë këto, se s’janë absolutisht të gjithë gjyqtarët, por ata që marrin përsipër të flasin në emër të gjyqtarëve, – si fushatë e imja, e kreut të Këshillit të Ministrave.

Tani, besoj që të gjithë e dinë se çfarë është një fushatë dhe çfarë është një fushatë kur e udhëheq unë, së bashku me gjithë shokët dhe shoqet e ‘’armëve’’ të Partisë Socialiste, një uragan që merr përpara kë t’i dalë përpara, kur është fjala për një betejë politike, por kjo nuk është një betejë politike. Ne nuk jemi në asnjë fushatë dhe nuk kemi asnjë qëllim të bëjmë fushatë kundër gjykatësve dhe të vetëvendosurit në pozicionin e viktimës, ndërkohë që ajo që kjo shoqatë po kërkon, është absolutisht unikale në historinë e Europës, nuk e bën më të lehtë pozicionin e gjykatësve. “E gjithë kjo tymnajë populiste…”, po kush jeni ju që i jepni vetes të drejtën të bëni përcaktime të tilla; tymnajë populiste?! Jeni parti politike? Regjistrohuni si parti politike, dilni në garë dhe mbroni platformën tuaj dhe pastaj bëni dhe ju siç bëjnë plot ‘’luftën’’ me etiketime, me sharje, me fyerje, me vendosje të kundërshtarit në pozita që nuk janë absolutisht të lidhura me argumentin, por me etiketimin. “Tymnajë populiste e krijuar dhe e shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve”. E dini çfarë është linçimi? Linçimi, mund t’ua them unë se unë e kam provuar linçimin. Linçimi është diçka krejt tjetër, nuk ka lidhje fare me një qëndrim publik, ku as nuk është përmendur njeri me emra, as nuk fyer dhe etiketuar njeri, por është ngritur një problem i madh dhe serioz. Ju, zotërinj kërkoni 37 milionë euro plus, nga buxheti i shtetit për t’i rritur vetes pagat. Kjo është e vërteta që nuk e luan topi dhe që ta dinë shqiptarët se çfarë kërkoni ju dhe për çfarë jemi ne në gjyq me ju, në Gjykatën Kushtetuese, shqiptarët duhet të dinë që ju kërkoni që për gjyqtarin e Shkallës së Parë, paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit paga të shkojë nga 3480 që është sot aktualisht, 3480 euro, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në Gjykatën e Lartë të shkojë 5800 euro dhe ju kërkoni që pagat e prokurorëve të SPAK-ut të cilët, edhe një herë tjetër për SPAK-un, e veçoj sepse nuk i është bashkuar dhe respekte, nuk i është bashkuar kësaj përpjekjeje absurde, nuk ka firmosur për të qenë palë në Gjykatën Kushtetuese për ta çuar pagën e vet 9800 euro! 9800 euro!

Ndërkohë që sot aktualisht pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK janë rreth 6500 euro. Pra 3000 euro doni ju t’i rrisni pagat vetes në muaj me një vendim gjykate. Ku jeni ju këtu? Ça kërkoni ju? Dhe ndërkohë ajo që e bën dhe më serioze këtë situatë, është se pagat tuaja janë paga më të larta, goxha më të larta se në rajon; se në Maqedoninë e Veriut, se në Malin e zi dhe janë paga të barabarta me gjykatësit në një vend të BE siç është Greqia. Sot që flasim aktualisht, ju i keni pagat sa në Greqi dhe ju doni t’i rrisni me nga 2000, me nga 3000 euro në muaj. Në emër të çfarë? Ju thoni në emër të ligjit dhe të kushtetutës?! Kjo është e pavërtetë!

Nuk ka ligj dhe nuk ka kushtetute që ju jep juve këtë të drejtë dhe nuk është shkruar as gjëkundi dhe kur ju thoni “ne nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore”, për çfarë përbaltje e keni ju fjalën? Për cilën përbaltje? Për cilën përbaltje kryeministrore publike dhe mediatike tërësisht histerike, si guxoni ju të vendosni etiketime të tilla duke qenë arbitra, duke qenë përfaqësues të një pushteti i cili duhet të heshtë në publik dhe duhet të japë vendime në sallën e gjyqit midis palësh dhe palë në gjyq jemi të gjithë përveç jush. Ju jeni ata që gjykoni për të gjithë dhe duhet të garantoni barazinë përpara ligjit të tëgjithëve. Dhe ndërkohë juve me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese doni të jeni ligji. Kjo është e vërteta dhe nuk synon, siç thoni ju, qëndrimi im të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjyqit, për të cilin dikush prej jush në emër të shoqatës, atje në gjykatë siç e përmenda në prononcimin tim tha “edhe ne të zgjuar jemi, thamë ta kalojmë këtë kur të tjerët se kishin mendjen dhe e kishin mendjen tek fushata, tek zgjedhjet”. Ashtu hë? Çfarë do me thënë kjo? Dhe si arrini ju në pikën që të sulmoni publikisht qeverinë, të sulmoni publikisht kreun e Këshillit të Ministrave, të sulmoni publikisht mediat dhe t’i akuzoni të gjithë për histeri. Kush jeni ju? Për çfarë histerie e keni fjalën? Më shikoni mua të axhituar? Jam shumë i axhituarse 37 milionë euro që kërkoni ju plus nga buxheti i shtetit janë para që duhet të hiqen nga diku tjetër dhe juve merrni përsipër atje në sallën e gjyqit të jepni gjykime politike. Ju merrni përsipër atje në sallën e gjyqit të jepni gjykime për qeverinë a thua se qeveria është një palë tjetër, jo në aspektin kushtetues, por në aspektin politik. Ju merrni përsipër të flisni për abuzime etj ndërkohë që duhet të garantoni në sallat e gjyqit paanësi, pavarësi dhe paanësi, por kjo është një temë tjetër.

Ndërkohë që tema për të cilën jam këtu unë është kjo që juve kërkoni të rrisni pagat vetes me gjyq. Dhe vazhdoni thoni që “e gjithë kjo fushatë qeveritare dhe e shumëzuar mediatikisht dhe e nxitur dita ditës për të krijuar furi populiste”. Cilën furi populiste dhe cila e nxitur dita-ditës? Ku e keni dëgjuar ju dita-ditës këtë gjë? Apo është miza nën kësulë që nuk po funksionon plani i kalimit pa mendje të 37 milionë eurove plus, të rritjes së pagave mujore me 2000 e 3000 euro në muaj? Dhe të kthimit të Shqipërisë në të vetmin vend në planet ku pastaj në pafundësi pagat e gjyqtareve dhe prokurorëve janë më të larta se paga e Presidentit të Republikës dhe e deputeteve dhe e ministrave dhe e gjithë të tjerëve. Po si ka mundësi që sot pagat e shumëkujt nga ju janë më të larta sesa paga e kryetarit të Gjykatës së Lartë një herë, e kuptoni apo jo? Po çfarë bëhet kështu?

Ndërkohë që po i marrim me radhe argumentet për të mos vazhduar këtë betejën retorike të cilën ju sugjeroj ta lini dhe të mos përfshiheni më se nuk i takon gjykatësve të prononcohen publikisht me terma të tilla duke përdorur etiketime të cilat ju shkojnë partive më të vjetra dhe më të degraduara këtu në Republikën e Shqipërisë dhe jo një trupe gjyqësore e cila është mbështetur me të gjitha forcat, me të gjithë vullnetin e mirë, me të gjithë dëshirën e mirë pa pushim nga kjo qeveri dhe nga kjo shumicë qeverisëse. Kurrë nuk e keni parë ju më parë këtë pavarësi, kurrë nuk e keni pasur ju më parë këtë pushtet të cilin patjetër ua u ka dhënë Kushtetuta, por Kushtetuta jua u kishte dhënë në letër dhe më parë por nuk e kishit sepse jua u diktonin të tjerët. Dhe ky është vullneti ynë. Ashtu sikundër edhe ato paga që keni sot që i keni më të larta sesa gjykatësit, koleget tuaj në rajon. Goxha më të larta! Dhe që i keni të barabarta me Greqinë. I keni sepse është vullneti i kësaj shumice qeverisëse.

Tani t’i marrim pak me radhë.

Ju thoni se projektligji për statusin e magjistratëve është hartuar nga ekspertet, së pari ju thoni, “i hartuar nga ekspertet dhe mandatuar nga komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi parashikonte në vitin 2016”, thoni ju, – “se statusi financiar i pagës së magjistratëve do të ishte gati 1/3 në vlerë absolute më e madhe nga çfarë u vendos nxitimthi dhe pa debat për tu bërë ligj nga kuvendi nëntorin e 2016. Shpejtësia e miratimit të ligjeve në kuvend me shmangien e debatit mbi këtë propozim të gjithë të pranuar në vitet e hartimit të paketës ligjore, bëri që cedimi i parë në këtë drejtim nga standardet e drejtësisë së re të ndodhte me miratimin e ndryshuar nga varianti fillestar i ligjit. Ky ishte keqbesimi i parë”. Kjo është e pavërtetë. Është tërësisht e pavërtete dhe unë ju referohem dhe juve, ndryshe nga ju po ju citoj dhe ju dhe publiku le të dëgjojë. E vërteta është krejt ndryshe dhe atë paketë të vitit 2016, e kanë hartuar patjetër ekspertet kombëtar dhe ndërkombëtar, por e kanë mbështetur në mënyrën më të vendosur deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe ata kanë dalë me atë formulë dhe nuk ka absolutisht asnjë të vërtetë në çfarë thoni ju dhe në ndërkohë po vazhdoj me të dytën për të  shpjeguar dhe të parën. “Sikur të mjaftonte ky cedim”, thoni ju, – “në ligjin e nëntorit të vitit 2016 u parashikua që efekti financiar i pagave të magjistratëve do të nisnin nga data 1.1.2019. Kështu për dy vite e dy muaj thoni ju reforma e re vendosi që magjistratët të paguhen me reformat e vjetra”. Këtu është dhe shqipja pak problem, por nuk po hyj te shqipja. “Ky moment ishte keqbesimi i dytë në radhë”.

Zotëri ne kemi vendosur në vitin 2016 një rritje pagash të jashtëzakonshme për ju, për t’ju dhënë juve dhe mbështetjen financiare si shprehje e vullnetit dhe e mesazhit të asaj reforme që ja dhe një sakrificë e të gjithë taksapaguesve që ju të paguheni më shumë se gjithë kolegët tuaj në rajon që ju të jeni të drejtë, të jeni të pavarur, të jeni të paanshëm dhe të bëni punën tuaj për ta mbajtur pushtetin e pavarësuar të drejtësisë, me dinjitet dhe në emër të popullit dhe të Republikës së Shqipërisë, por ama nga vendimi i 2016-s deri tek krijimi i mundësive për të pasur atë fond pagash duhej një kohë, se në 2016 kur ne kemi kaluar këtë paketë, Shqipëria nuk ishte kjo. Kjo është një Shqipëri tjetër. Kjo Shqipëri i ka mundësitë sot për shumë gjëra që nuk i kishte në 2016-n. Dhe prandaj ajo hapësirë kohore që iu la për t’ju rritur pagat ju ishte një hapësirë kohore e llogaritur me laps dhe me letër në Ministrinë e Financave, në drejtorinë e buxhetit me të gjithë ekspertet në mënyrë që ne t’i përgjigjshim këtij detyrimi, por të mos hapnim gropa të tjera nga ato gropa që kishim të hapura nga e kaluara dhe që po i mbushnim hap pas hapi.

Si mund të jetë kjo me çelës magjik që vendosëm sot ti bëjmë një rritje pagash eksponenciale një grupi interesi, një grupi shoqëror dhe kjo u bëka qysh të nesërmen, kjo bëhet me hapa dhe nuk ka qenë keq besim, por ka qenë mirë planifikim.

Ndërkohë që ju vazhdoni dhe më një gjë tjetër që unë habitem si diskutoni akoma dhe si guxoni tua thoni këtë popullit shqiptar.

Ju thoni “së treti paketa iu pasua keq besimit të tretë pasi në momentin e fundit në Kuvend u ndryshua dispozita tranzitore e ligjit duke u parashikuar që magjistratët që nuk kishin kaluar vettingun në datën”, – e shumë dhe mezi pritur, shqipja, “1.1.2019 do vijonin të merrni pagën e vjetër, atë të përcaktuar në vitin 2008”. Pra që ta dëgjojë publiku, ju keni shkuar në Gjykatën Kushtetuese për t’ju rritur pagën atyre që iu hoqi vettingu sepse nuk ishin të denjë për sistemin e ri të drejtësisë. Ju keni shkuar në Gjykatën Kushtetuese për

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu