Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua konferenca shkencore me temë “Lin Delija, Arti konkret i shpirtit”, kushtuar figurës dhe krijimtarisë së piktorit të njohur, duke e vënë theksin te dimensioni shpirtëror dhe artistik i veprës së tij, si dhe te vendi që ai zë në artin shqiptar dhe atë europian.

Konferenca solli një qasje studimore dhe reflektuese mbi stilin, simbolikën dhe mesazhet që përçohen përmes artit të Lin Delisë. Studiuesit, trajtuan aspekte të ndryshme të krijimtarisë, nga analiza estetike te konteksti historik dhe kulturor i veprës së tij.

Konferenca mblodhi pedagogë, studentë, studiues të artit dhe dashamirës të kulturës. Lin Delija konsiderohet një nga piktorët shqiptarë më të shquar të shekullit të 20-të, me ndikim jo vetëm në artin shqiptar, por edhe në skenën artistike evropiane. Lin Delija lindi në Shkodër më 3 shkurt 1926 në një familje të thjeshtë shkodrane, e cila më pas, edukimin shpirtëror dhe artistik do t’ia besonte personaliteteve të kolegjit françeskan “Illyricum”, ku u njoh me përfaqësuesin kulturor më të rëndësishëm të botës françeskane në Shqipëri, At Gjergj Fishtën. Ndjente një admirim të thellë për të dhe e shprehu në portretin që sot është ekspozuar në kishën “Zoja e Shqiptarëve” në Detroit. Lind Delija u arratis nga Shqipëria në Jugosllavi më 1948 pas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Më pas frekuentoi Akademinë e Arteve të Bukura të Zagrebit gjatë viteve ’50 dhe sidomos të Akademisë së Arteve të Bukura të Romës, me një bursë studimi falë përkujdesjes së veçantë të Ernest Koliqit, ku u diplomua ne 1959.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu