Dy javë pasi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, hodhi firmën në lejen e ndërtimit për resortin turistik “Blue Borgo” në zonën e Rrjollit, Velipojë, e vetëm 24 orë pasi ai u bë publik, në këtë zonë ka zbarkuar policia e shtetit dhe IKMT. Sipas raportimeve në zonë pritet të nisin shembjet e ndërtimeve për ti hapur rrugë zbatimit të ketij projekti, i cili kundershtohet nga banorët. Ata akuzojnë se po iu grabiten pronat për t’ju a dhenë oligarkëve. Projekti, parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik mbi një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh.
Sipas dokumenteve zyrtare, resorti do të përfshijë qindra mijëra metra katrorë ndërtesa akomoduese dhe shërbimesh, përfshirë struktura me deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, si edhe ambiente sociale dhe kulturore. Firma e lejes u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit në fund të janarit 2026 nga kompania zhvillues “ABA Blue Borgo”. Edhe më herët banorët e Rrjollit kanë protestuar dhe janë përplasur me policinë kundër këtij projekti.






