Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë Andis Salla, ai i Financave Petrit Malaj ndodhet në Divjakë në një takim me fermerët.
Dialogu zhvillohet në kuadër të Skemës Kombëtare 2026 për të plotësuar panoramën e kërkesave dhe nevojave të evidentuara deri më tani nga qarqet e tjera, si dhe për ta ndërtuar skemën mbi një pasqyrë sa më të plotë të realitetit në terren. Rama tha se buxheti i shtetit nuk duhet të jetë i vetmi burim financimi për fermerët. Janë dhe të tjerë komponentë që duhen të përdoren dhe për këtë kërkohet aftësi nga fermeri për t’i përthithur këto para.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që bashkitë të jenë më aktie me bujqit, në mënyrë që ata të marrin financime.Nga Divjaka, Rama tha se fermerët duhet të koordinohen bashkë për prodhimin e tyre.“Për ta shfrytëzuar këtë garanci duhet një përgatitje, e një dosje për t’iu drejtuar bankës, ja pse kjo që unë do bëj do sjellë fitim dhe ja arsyet pse duhet të më mbështesni. Në këtë aspekt ka mangësi, pushteti vendor. Kryetarët e bashkive duhet të jenë shumë më aktiv me bujqit për të adresuar këto financime. Nuk duhet të ketë asnjë problem. Në rast se duhet një stallë tjetër, mekanik tjetër, një logjistikë tjetër, nuk duhet të ketë asnjë problem. Bashkitë dhe ju mund të krijoni struktura, kompani të përbashkëta, për të marrë këto financime. Është shumë e thjeshtë të flasësh nga vendi, e të thuash do na mbroni. Unë besoj se shteti ka detyrë t’i qëndrojë pranë fshatit, më shumë se të tjerëve, sepse është sektor që ka britshtësinë e vet, për të funsksionuar si duhet, duhet të mbështetet. Për t’u rritur dhe për t’u bërë më të mëdhenj, ju duhet të mendoni si më të mëdhenj. Sot këtu në këtë territor, ka shembuj suksesi. Ka ndërmarrje bujqësore të suksesshme. Nuk funksionon qëndrimi vetëm, po të jesh vetëm me atë ngastrën tënde, mund të shkosh në pikën që të mbijetosh. Po të bashkohesh, flasim për bashkim në interes. Ka një koordinim me të tjerët, se çfarë do prodhojmë, të shesim bashkë dhe të bëjmë sukses.”, theksoi ai.






