Shqipëria po bëhet gati për t’u integruar në Zonën Shengen. Për këtë, vendi duhet të plotësojë paraprakisht disa kërkesa që do të bëjnë të mundur lëvizjen e lirë pa kontrolle kufitare të brendshme.

Në Fletoren Zyrtare është botuar Plani i Veprimit të Shengen 2026-2030, ku listohen të gjitha masat që do ndërmerren përgjatë 4 viteve, të tilla si menaxhimi efektiv i kufijve të jashtëm dhe bashkëpunimi i ngushtë në azilin, politika e vizave, siguria dhe koordinimi policor.

Shqipëria do të ketë qasje të plotë operacionale në të gjitha sistemet përkatëse të informacionit, autoritetin për të lëshuar viza Schengen dhe heqjen e kontrolleve të kufijve të brendshëm, pas pak vitesh nga data e anëtarësimit.

Disa nga masat përfshijnë ngritjen e një strukture drejtuese të Shengen, të udhëhequr nga një Koordinator Kombëtar i caktuar i  Shengen, ndërsa do të ofrohen edhe trajnime të dedikuara dhe aktivitete të tjera për ndërtimin e kapaciteteve për strukturat e menaxhimit të kufirit.

Rinovimi dhe hartimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe përmirësimi i bashkëpunimin ndërkufitar me vendet fqinje është po ashtu një pritoritet. Plani parashikon rritjen e numrit të patrullave të përbashkëta me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, teksa do të instalohen edhe kamera të reja të mbikëqyrjes dhe lexuesve të targave në pikat e kalimit kufitar.

Përfundimi i marrëveshjeve për krijimin e Qendrave për Bashkëpunim Policor dhe Doganor me Greqinë, për krijimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare dhe doganore me Greqinë do të ishte një masë e përshtatshme që çon drejt përmbushjes së kërkesave të Schengen në këtë fushë. Ndërkohë, do të shtohen edhe pikat e kalimit kufitar me Malin e Zi.

Shqipëria duhet të zhvillojë një Plan Kontigjence, me qëllim reagimin ndaj flukseve të mundshme masive të migrantëve dhe azil kërkuesve. Për më tepër, vendi duhet të garantojë kapacitete të mjaftueshme pritëse dhe të zbatojë procedurat e riatdhesimit në përputhje të plotë me Ligjin për të Huajt dhe në harmoni me acquis të BEsë.

Duke eliminuar kontrollet e kufijve të brendshëm, Shengen ul kostot administrative dhe përmirëson zinxhirët e furnizimit. Në të njëjtën kohë, ai lehtëson lëvizjen e lirë të punëtorëve, mallrave dhe shërbimeve, duke u mundësuar kompanive të operojnë në mënyrë efikase, duke përfituar nga tregjet më të mëdha dhe proceset më të lehta.

Objektivi strategjik është që deri në vitin 2030, që përbën objektivin kryesor të qeverisë për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria të ketë përmbushur të gjitha kërkesat e Schengen-it, të cilat do të zbatohen përmes Planit Kombëtar të Veprimit të Schengen-it.

Aktualisht, 29 vende janë pjesë e Zonës Shengen, 25 prej të cilave vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 4 jo-anëtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu