Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka prezantuar në një konferencë një paketë investimesh për bashkitë. Duke e nisur me Akademinë e Pushtetit Vendor, e cila është prezantuar më herët, Demo tha se trajnimet e para do të nisin brenda 10-ditëshit të parë të shkurtit.

Në 2026, granti i performancës do të fokusohet te bashkitë që performojnë më mirë. Treguesit do të maten përmes teknologjisë së një sistemi të dedikuar për menaxhimin e burimeve financiare. Demo u ndal edhe te miratimi i financimit prej 1 mld eurosh në nivel vendor ku përfshihen të ardhurat e tyre dhe ato që vijnë nga buxheti i shtetit.

“Fuqizimi i bashkive do të ishte fjala kyçe që në vetvete përfshin rritjen e kapaciteteve me nisma konkrete si Akademia e Pushtetit Vendor që është një moment historik. Bashkitë do të kenë një strukturë të fokusuar te specifikat. Akademia do të jetë një platformë ku bashkitë ndajnë me njëra-tjetrën praktikat më të mira që janë të ndryshëm. Jam i bindur që kemi bashki që kanë sfida jo të vogla në përmbushjen e misioneve, por secila ka një performancë të admirueshme. Besoj se ndarja e eksperiencës dhe krijimi i një platforme të qëndrueshme e bën Akademinë një instrument shumë të fuqishëm. Akademia do të ofrojë një instrument të qëndrueshme për cilëndo asistencë që do të kemi për autoritetet lokale. Brenda 10-ditëshit të parë të muajit shkurt fillojnë trajnimet e para, është marrë miratimi i gjithë kornizës që duhet të ketë dhe jam i bindur qe do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm.2025 ka qenë një vit i rëndësishëm për grantin e performancës, i cili ka qenë i financuar 50% nga ambasada zvicerane dhe buxheti i shtetit. Në 2026 duam ta thellojmë konceptin. Bashkitë që performojnë më mirë duhet të kenë mundësinë që të financohen më shumë. Ne do të kalojmë nga vlerësimi i treguesve të ftohtë në matje specifike të shërbimeve që ofrohen në territor.

Ne besojmë që teknologjia do të luajë rol të rëndësishëm. AFMIS-i është një sistem ku standarde e praktika të konsoliduara, ofron mundësinë për në matje më reale të treguesve. Këto sisteme do të na japin mundësinë që të kemi më tepër instrumente në dorë për ta bërë financimin. Është një sistem menaxhimi i burimeve financiare mbi të gjitha për më shumë investime në territor, për shërbime me cilësi më të madhe. Besoj do të jetë risi shumë pozitive.

Njëkohësisht kemi një projekt shumë të madh që është dixhitalizimi i shërbimeve lokale. Futja e tyre në një platformë, por duhet të kemi një portal unik në nivel qendror e lokal. Implementimi i projektit kërkon punë të konsiderueshme dhe proaktivitet nga ana e bashkive. Sa i përket fuqizimit financiar dhe zhvillimit ekonomik, është miratuar financimi me 1.2 mld lekë që janë fokusuar në uljen e detyrimeve të prapambetura. Besojmë që qëndrueshmëria financiare është e rëndësishme për të krijuar hapësira buxhetore të mëdha për të përmirësuar shërbimet lokale. Bashkitë për herë të parë do të administrojnë në nivel vendor mbi 1 mld euro ku përfshihen të ardhurat e gjeneruara nga vetë ato dhe nga buxheti i shtetit”, tha Demo.

Demo shtoi se çdo bashki në territor ka sfidat e veta që mund të jenë specifike. Ai tha se është vendosur një fond prej 20 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara vetëm për logjistikën e bashkive. Ministri theksoi fuqizimin financiar të bashkive si aktor ekonomik për të gjeneruar vetë të ardhura. Ai shtoi se ambicia për integrimin në BE deri në 202 do të sjellë një dallgë të madhe.

“Fondi prej 20 mln eurosh është një grant nga Emiratet e Bashkuara ku kryeministri ka vendosur që do të fokusohet te fuqizimi i bashkive. Është një ndihmë që do të fokusohet në logjistikë për infrastrukturën bujqësore, por duke iu referuar situatave të fundit, do të jetë ndihmë e madhe që bashkitë të jenë të mirëpërgatitura dhe të parandalojnë deri ku munden ato që sjell natyra.

Fuqizimi financiar dhe zhvillimi ekonomik, koncepti i bashkive sipërmarrëse është shumë i rëndësishëm. Qartazi, roli i bashkive si aktor ekonomik nuk është i ndjeshëm në territor. Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Ekonomisë dhe do të bëjmë pjesë edhe këtë nocion në nivel vendor ku bashkitë të garantojnë më shumë të ardhura për buxhetin e bashkive, por mbi të gjitha për të qenë menaxherë të mirë të aseteve.

Paketa ligjore do të krijojë një bashkëpunim më të ngushtë dhe të koordinuar të institucioneve në nivel vendor. Kërkojmë krijimin e standardeve kombëtare që të plotësojnë të njëjtat standarde në çdo cep. Standardizim, meritokraci, transparencë. Kapacitetet formuese të jenë aty për të garantuar një zhvillim në kohë të burimeve njerëzore.

Procesi i integrimit është një proces që do të sjellë shumë sfida, besoj për të gjithë aktorët, sektorët në të gjithë vendin dhe për bashkitë. Axhenda ambicioze që ne kemi që deri në 2027 të përmbyllim kapitujt do të sjellë një dallgë të madhe që duhet përkthyer në përgjegjësi”, tha Demo.

I pyetur nëse financimi i bashkive diskriminon bashkitë e drejtuara nga opozita, Demo tha se granti i qeverisë është transparent.

“Nuk e kam konstatuar këtë nga kryetari. Të gjithë kryetarët ankohen, është natyra që kanë, duan të bëjnë më shumë, janë nën presion nga qytetarët dhe kanë një vizion tyrin. Dua të garantoj që financimi që bën qeveria përmes grantit është transparent dhe merr në konsideratë elementë të ndryshëm. Granti është matematikë, nuk ka kontestime. Sa u përket projekteve, duhen parë rast pas rasti, jo të gjitha mund të financohen. Bashkia duhet të jetë agresive me projektet, por nuk duhet të shikojë si mundësi financimi të vetme qeverinë”,  tha Demo.

Një nga pikat më kryesore në të cilën u ndal ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, është reforma territoriale. Demo theksoi se procesi duhet të jetë gjithëpëfshirës dhe transparent, teksa bëri thirrje se të gjithë aktorët duhet të jenë proaktivë. “Elefanti në dhomë është reforma territoriale. Nëse përmenda nisma të ndryshme, reforma territoriale është instrument për të garantuar që bashkitë që në nisje të kenë mundësitë, asetet, kapacitetet dhe potencialin e mundshëm, të jenë të gatshme që t’i përballojnë të gjitha këto sfida. Reforma territoriale, të gjitha partitë janë të përfshira. Procesi, i cili do të fillojë në pak ditë, duhet të jetë transparent. Nuk duhet ta përcaktojmë si një proces që thjesht do të ndryshojë kufijtë e bashkive, do të ishte qasje e gabuar. Besoj se duhet të bazohet në të dhëna, eksperiencë, çfarë ka ndodhur gjatë 10 viteve të fundit në territor, sfidat e bashkive apo problematika të tjera. Duhet të jemi të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm sa i përket rëndësisë së reformës për mënyrën si do të menaxhojmë territorin, si qytetari do të ndërveprojë me institucionet lokale. Është një hap shumë i rëndësishëm, një sfidë jo e vogël, por një mundësi e jashtëzakonshme. Shpresoj që të kemi një reformë që mos të durojë 10 vjet, por të bëjë një kërcim edhe më shumë. Duhet të shikojmë përpara atë që do të ndodhë në vitet dhe dekadat përpara. U bëj thirrje të gjithë aktorëve të jenë proaktivë dhe kuptohet që kjo reformë do të udhëhiqet politikisht në parlament, por edhe nga Ministria. Ne duhet të kuptojmë komplikacionet në nivelin e tretë. Qarqet janë të parashikuara në Kushtetutë. Vetvetiu, ndryshimi i tyre si rrjedhojë sjell ndryshime të tjera në sisteme me sensitivitet si Kodi Zgjedhor. 12 qarqet që kemi sot janë krijuar në një kontekst tjetër dhe ka vend për të diskutuar, por nuk dua të kaloj më përpara se ç’duhet. Në javët që vijnë besoj do të jetë një debat i hapur. Shpresoj që opozita të jetë proaktive në këtë proces dhe të krijojë shtratin e duhur për këtë proces. Ky proces tashmë ka filluar, do të jetë një proces i hapur, u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të përfshihen”, tha Demo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu