Interpol Tirana
Ekstradohet nga Zvicra, 1 shtetas i akuzuar nga GJKKO-ja, si pjesëtar i një grupi kriminal.
Ai dyshohet se për një periudhë 4-vjeçare, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e 2 vëllezërve.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe Interpol Bern, u finalizua procedura për ekstradimin nga Zvicra në Shqipëri, të shtetasit:
-Jozi Kraja 37 vjeç, lindur në Shkodër.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës dhjetor 2020-maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e vëllezërve D. B. dhe V. B..






