Mbështetja ndaj gjyqësorit është detyrim kushtetues, jo zgjedhje dhe as trajtim i privilegjuar. Kështu u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili ngriti çështjen e stokut masiv të dosjeve që kanë kapluar gjykatat e të gjitha shkallëve.
“Drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi. Sistemi gjyqësor përballet me një ngarkesë të lartë dhe me një stok çështjesh të prapambetura. Kjo sjell vonesa, që nuk janë vetëm çështje statistike. Janë qytetarë që presin, çështje që zvarriten dhe marrëdhënie juridike që mbeten pezull. Prandaj kërkohet menaxhim, disiplinë dhe përparësi të qarta”, tha kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi.
Problematikë për ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari është numri i lartë i të paraburgosurve.
“Për fat të keq, Shqipëria vijon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Mbi gjysma e personave që ndodhen në institucionet e vuajtjes së dënimit janë ende pa një vendim të formës së prerë. Ky realitet tregon mungesën e alternativave efektive. Hezitim në vendimmarrje dhe një kulturë gjyqësore zgjedh rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë. Paraburgimi grryen besimin e qytetarëve te Drejtësia”, u shpreh Lamallari.
Siguria dhe zvarritjet procedurale janë një ngërç i madh i sistemit gjyqësor, tha kreu i shtetit, Bajram Begaj.
“Vrasja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja në tetor të vitit të kaluar është një kambanë alarmi për të gjithë ne, institucionet dhe shoqërinë shqiptare. Siguria e jetës dhe dinjiteti juaj nuk janë privilegje, por kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës”, shtoi presidenti Bajram Begaj.
Këto deklarata krerët e insitutucioneve të vendit, i bënë në ceremoninë e pavararësisë së drejtësisë dhe besimit publik, parime që sipas tyre duhet të shërbejnë si busullë udhëheqëse e gjithë sistemit tonë gjyqësor.






