Më pak na kushtojnë investimet për tu mbrojtur, sesa dëmet që na sjellin fatkeqësitë natyrore. Gati 2.5 miliardë dollarë ka humbur vendi në 3 dekada nga përmbytjet thuhet në një auditim të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku ka trajtuar gjithë përmbytjet e 2024-ës në Vlorë.

“Vetëm në vitet e demokracisë në tre dekada humbjet ekonomike të shkaktuara nga përmbytjet përllogariten në rreth 2,5 miliardë dollarë. Pra, kushtojnë më lirë masa paraprake investuese për parandalimin e përmbytjeve se sa pritje e ndodhjes së tyre dhe më tej marrja e masave riparuese dhe eliminimi i pasojave”, thuhet në auditim.

Prej vitit 1995 deri në 2021 vendi është përballur me 8 përmbytje të mëdha thuhet në auditim, ku u shkatërruan rreth 15 mijë banesa, nga më shumë se 85 mijë hektarë të përmbytura. Por dëmi nuk ishte vetëm kaq, pasi mijëra hektarë tokë e mbjellë u shkatërrua, mijëra bagëti ngordhën e qindra biznese u dëmtuan.

Gjithashtu në auditim thuhet se menaxhimi i ujërave është përkeqësuar për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese dhe uljes së kapacitetit të hidrovorëve.

“Pritet që situata të përkeqësohet akoma më shumë për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat reflektohen me fenomene moti ekstreme”, vijon auditimi, duke ngritur edhe problemin e ndërtimeve pa leje, pasi sipas KLSHjanë rreth 3285 ndërtime pa leje në infrastrukturën ujitëse, kulluese dhe të mbrojtjes nga përmbytja.

“Është e pashmangshme nevoja për rritjen e investimeve dhe asistence në këtë fushë, përndryshe situata do të përkeqësohej gjithnjë e më shumë”, thuhet në auditim.

Ndërkohë vetë Ministria e Mjedisit në ‘Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036’ theksonte se për shkak të kërcënimeve që vijnë nga klima qofshin përmbytje, tërmete apo zjarre Shqipëria mund të humbasë 7% të Prodhimit Kombëtar nëse nuk reagon në kohë.

Për të parandaluar humbje në përmasa të tilla thuhej në këtë plan, nevojiten investime 9.8 miliardë dollarë, në sisteme kullimi, argjinatura, rezervuarë, teknologji mbrojtëse ndaj ngjarjeve ekstreme, apo në ngritje të sistemeve të informacioni.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu