Ballina Aktualitet Oboti ende i bllokuar, ja si paraqitet situata në Qarkun Shkodër nga...

Oboti ende i bllokuar, ja si paraqitet situata në Qarkun Shkodër nga reshjet e shiut dhe dëborës

Screenshot

Situata në territorin e Qarkut Shkodër, datë 09.01.2026

Në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike dhe bazuar në informacionet e raportuara nga bashkitë, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse, situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet e qetë.

Më poshtë pasqyrohet situata sipas bashkive përkatëse të Qarkut Shkodër.

Bashkia Shkodër
Nga strukturat vendore nuk raportohen problematika të Emergjencave Civile.
Në njësinë administrative Dajç, kuota e ujit është 6.20 m.
Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit nuk ka pësuar rritje dhe ndodhet nën kuotën kritike.
Në Urën e Bahçallekut, niveli i lumit Drin vlerësohet nën kuotën kritike, dhe ka patur rënie të nivelit.

Pranë fshatit Obot, ku vijon të ketë prezencë uji në rrugën kryesore, janë të dislokuara Forcat e Armatosura me 3 mjete të kalueshmërisë së lartë, të cilat prej disa ditësh po asistojnë banorët në kalimin e segmentit nën ujë.

Bashkia Vau Dejës
Në territorin e Bashkisë Vau Dejës nuk evidentohen probleme të Emergjencave Civile. Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim.

Bashkia Malësi e Madhe
Situata paraqitet e qetë. Gjatë natës nuk janë regjistruar reshje shiu dhe nuk raportohen probleme të Emergjencave Civile për momentin.
Ka pasur tërheqje të ujit në zonën e quajtur Rreze e Veshtit, njësia administrative Kastrat, ku po punohet të lirohet aksesi i plotë.

Bashkia Pukë
Deri në këto momente nuk raportohen probleme apo situata të lidhura me Emergjencat Civile.

Bashkia Fushë-Arrëz
Situata paraqitet e qetë dhe nuk janë raportuar probleme të Emergjencave Civile.

Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë

Sipas të dhënave të administruara nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, hidrovorët në Vilun dhe Casi vijojnë punën normalisht me kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.
Nga verifikimet në terren, argjinaturat, kanalet kulluese, shkarkuesit, si dhe diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika dhe funksionojnë në kushte normale.
Ndërkohë, lumenjtë Kir dhe Gjadër kanë shënuar rënie të ndjeshme të prurjeve, çka ka ndikuar pozitivisht në stabilizimin e situatës hidrologjike.
Për ditën e sotme nuk janë regjistruar reshje shiu dhe temperaturat janë në rënie.

Reparti Ushtarak Vau Dejës nr. 1010 (Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut) është i angazhuar në fshatin Obot, Njësia Administrative Ana e Malit, Bashkia Shkodër, me 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 8 efektivë.

Prefektura e Qarkut Shkodër është nën monitorim të vazhdueshëm dhe në gatishmëri me të gjitha strukturat përgjegjëse.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks